Transmetuar më 12-12-2016, 17:14

Foto: Gabrielle Jordan (e para djathtas) gjatë një ceremonie arti me pjesëmarrjen e Zonjës së Parë

Ekziston një thënie, se nuk është kurrë vonë të bësh atë që ke patur gjithmonë ëndërr. Por, Gabrielle Jordan thotë se nuk është kurrë herët të bësh atë që do.

Kjo vajzë adoleshente filloi të krijojë bizhuteri kur ishte 9 vjeçe, botoi një libër kur ishte 11 dhe filloi të udhëtojë në mbarë vendin duke mbajtur fjalime frymëzuese kur ishte 12 vjeçe.

Në vazhdim ju njohim me këtë vajzë të re me ambicie, e cila i ka hyrë rrugës për t’u bërë një sipërmarrëse e suksesshme.

Gabrielle Jordan bën atë që ka pasion: krijon varëse, vathë dhe byzylykë. Kjo vajzë 16-vjeçare krijoi kompaninë e saj të bizhuterive në Merilend, të cilën ajo e quan "Jewelz of Jordan".

“Unë e fillova firmën "Jewelz of Jordan" kur isha 9 vjeçe, por në fakt kam filluar të bëj bizhuteri që kur isha 7 vjeçe. Kjo ishte diçka që më pëlqente shumë, prandaj mora mësime në YouTube," thotë ajo.

Gabrielle fillimisht ia shiste bizhuritë që bënte miqve dhe familjarëve, por shumë shpejt, ajo e zgjeroi këtë biznes, duke shitur nëpër seminare, konferenca, sfilata mode, në butika dhe në internet.

“Unë kam si synim të kem kliente biznesmene moderne, gra profesioniste,"- thotë ajo.

Krijimi i bizhuterive ishte pikënisja drejt një ambicieje edhe më të madhe që ka Gabrielle: të frymëzojë të tjerët. Eksperiencën e saj të biznesit ajo e përshkruan në një libër me titullin "Si të bëhesh sipërmarrëse në moshë të re".

“Kur isha 11 vjeçe vendosa të shkruaj një libër, me të cilin doja të frymëzoja vajza të tjera të fillonin bizneset e tyre", thotë Gabrielle, e cila shton se: “E di që ka momente pasigurie. Atëherë nuk dua ta pyesni veten: po sikur të dështoj? Por: Po sikur të kem sukses?"

Libri e ndihmoi Gabrielën të mbajë fjalime që frymëzojnë të rinjtë. Ajo flet nëpër konferenca, para organizatave të të rinjve dhe shkollave, brenda dhe jashtë vendit.

"Synimi im është ta çoj mesazhin tim tek grupe të ndryshme njerëzish, madje edhe jashtë vendit,"- thotë ajo.

Për këtë biznesmene të re që nuk ndjek mësime në shkollë, por në shtëpi, ka shumë rëndësi disiplina:

“Unë zgjohem në orën 5 të mëngjesit që të bëj mësimet, pastaj ha mëngjes dhe vazhdoj të punoj me bizhuteritë; më vonë përgatitem për fjalimet; pjesën tjetër të ditës ja kushtoj gjërave të tjera që duhet të bëj. Për mua, si drejtuese e një kompanie, është shumë e nevojshme disiplina."

Gabrielle beson tek një moto: ndihma për të tjerët. Në fund të vitit ajo ia dhuron një pjesë të fitimeve grupeve të saj të preferuara të bamirësisë.

"Për mua është shumë e rëndësishme të dhurosh. Kur shoh vështirësitë që kalojnë njerëzit në jetë, tani që kam arritur të kem një biznes të suksesshëm, mendoj se është nevoshjme të ndihmoj të tjerët," thotë ajo.

Gabrielle ka si synim të krijojë bizhuteri për njerëzit e famshëm dhe të shkruajë një libër të ri vitin e ardhshëm.