Transmetuar më 12-12-2016, 00:21
Publicitet

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti në konferencën e sotme për shtyp në Tetovë tha se partia që ai drejton është fituese në zgjedhje sa i përket rezultateve të bllokut të parive shqiptare, duke shtuar se megjithatë shqiptarët kanë humbur shumë mandate në Parlament.

Ai tha se BDI e kishte paralajmëruar rrezikun. “BDI gjithmonë ka apeluar tek elektorati i vet tek shqiptarët dhe ka kërkuar që shqiptarët të mos parcializohen, partizohen nëpër parti të vogla, sepse do jenë humbës. Gjithmonë i kemi thirrur që partitë e vogla të bëhen bashkë, të fitojnë BDI-në, por të mos humbin shqiptarët. Me hidhërim e them që shqiptarët kanë humbur mandate, BDI ka fituar zgjedhjet, por mua më ka interesuar që të fitojnë shqiptarët në radhë të parë dhe nuk më gëzon fitorja e BDI-së. BDI do të mbetet i vendosur në drejtim të mbrojtjes së doktrinës së vet që ka paraqitur përpara shqiptarëve në vend", tha Ahmeti.

"BDI nuk ndryshon kursin e vet por fortë do të punojmë që kursi jonë të jetësohet e materializohet. BDI do jetë faktor vendimtar se kush do marrë përgjegjësinë në te ardhmen për të drejtuar proceset. Pra, nuk do luhatemi nga vija jonë por do të jemi shumë më të fortë në mbrojtje të qëllimeve i kemi vënë vetes”, shtoi ai.

Ahmeti në daljen për media shtoi se këto zgjedhje janë zhvilluar pa eksese, pa probleme të theksuara dhe kjo sipas tij do të thotë që vendi shënon progres dhe pjekuri për të organizuar zgjedhje të lira.