Transmetuar më 10-12-2016, 18:00

Polemika të shumta orët e fundit në Prishtinë, Tiranë dhe Bruksel, lidhur me ndërtimin që po bëhet në Mitrovicë, krahina ku popullsia serbe e Kosovës është më shumë e përqendruar.

Fillimi i punimeve solli reagime të ashpra. Pjesa më e madhe e politikës në Prishtinë dhe Tiranë shprehen kundër këtij ndërtimi që e cilësojnë si një mur i papranueshëm që ndan serbët me shqiptarët e Kosovës.

Ata kanë kërkuar që ky “mur” të shkatërrohet menjëherë.

Kryetari i komunës veriore të Mitrovicës, Goran Rakic tha sot se muri i ngritur nuk do të shkatërrohet por do t’i nënshtrohet një projekti të ri.

Kurse, kryetari i komunës jugore të Mitrovicës, Agim Bahtiri tha se ky mur do të shkatërrohet dhe hapësira do të jetë në shfrytëzim të qytetarëve.

Nga ana tjetër, Bashkimi Evropian kërkoi sot respektimin e marrëveshjes së Brukselit në lidhje me atë që e cilëson revitalizimin e urës mbi lumin Ibër në qytetin e Mitrovicës.

Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Europian për Politikë të Jashtme, Maja Kocijancic, tha të premten se, ndërtimi në Urën e Ibrit, do të lidhë unazën me zonën e këmbësorëve. Ajo mohoi që të jetë mur.

“Nuk do të jetë mur, por një shkallë që lidh unazën me zonën e këmbësorëve. Gjatë bisedimeve të djeshme palët ranë dakord se do të ngrihen shkallët që sigurojnë lirinë e lëvizjes nga njëra anë në tjetrën”, tha ajo.

Kocijancic tha se BE do të monitorojë me kujdes zbatimin e e Marrëveshjes së Brukselit.

Mbi këtë ndërtim reagoi dhe kryetari i opozitës në Shqipëri, Lulzim Basha. Ai tha se muri po ngrihet ne thyerje te plote te ligjeve te Republikes se Kosoves dhe ne dhunim te marreveshjeve te arritura ne Bruksel. 

Basha theksoi se muri po ndertohet i mbeshtetur dhe projektuar nga strukturat paralele serbe ne veri te Mitrovices. 

“Ndërtimi i nje strukture te tille eshte akt provokues dhe destabilizues per popullaten e Mitrovices, marredheniet dhe dialogun mes Serbise dhe Kosoves sikunder edhe ndaj klimes se paqes dhe stabilitetit ne Ballkan”, - paralajmëroi z.Basha. 

Në zonën e ndërtimit, ishte sot kryeinspektori i Ministrisë së Planifikimit Hapsinor në Qeverinë e Kosovës, Bedri Halimi. Ai i komunikoi autoriteteve lokale lejen për ta shkatërruar këtë ndërtim.

Ekspertët thonë se ndërtimi i realizuar është një mur 2 metra i lartë në të cilin shihet të kedtë një ridizenjim për ta ulur atë më vonë në 1 metër e 70 centimetra.

Qytetarët shqiptarë nga pjesa jugore e qytetit shprehen të bindur se ky mur po e thellon ndarjen e Mitrovicës. Kurse ata në veri, pjesëtar të komunitetit serb, një pjesë e mirë e tyre janë shprehur të habitur, duke pohuar se nuk dijnë se çfarë fshihet pas këtij ndërtimi.

Muri në veri të qytetit të Mitrovicës u ndërtua papritmas me vendim të autoriteteve lokale të veriut të kësaj komune. Ky mur erdhi në kohën kur tensionet ndërmjet grupeve etnike në qytet u zvogëluan dhe u vlerësua se po niste një periudhë e relaksimit të marrëdhënieve, përfshirë edhe procesin e revitalizimit të urës së Mitrovicës. /ballkaneu.com/