Transmetuar më 10-12-2016, 17:57

Gjykata e Krimeve të Rënda ka lëshuar ditën e djeshme urdhër arrestin për Klemend Balilin, të njohur ndryshe si “Eskobari i Ballkanit”. Urdhër arresti i është dhënë për ekzekutim Policisë së Shtetit, e cila më pas veproi menjëherë.

Pas lëshimit të urdhër arrestit mbi 200 forca policie janë angazhuar në një operacion për të arrestuar të shumë kërkuarin Balili.

Burime nga policia bëjnë me dije për Ora News se operacioni ka nisur që në mesnatë dhe është shtrirë në jug të vendit, Delvinë, Sarandë dhe më gjerë në territorin e qarkut të Gjirokastrës

Janë kontrolluar biznese, lokale dhe ambiente ku dyshohej se mund të fshihej Klement Balili. Në operacion janë përfshirë forcat e FNSH-së dhe të policisë së Sarandës dhe të Gjirokastrës.

Ndërkaq, vëllai i Klemend Balilit tha se nuk ka një urdhër arresti duke akuzuar policinë se ka bërë presion.

Klement Balili akuzohet për trafik droge dhe organizatë kriminale.  Ndaj Klement Balilit ka një fletëarresti ndërkombëtar nga Interpoli dhe se ai është i kërkuar në Greqi dhe Shqipëri.