Transmetuar më 10-12-2016, 09:29

Mëngjesin e sotëm, Policia e Shtetit dhe forcat e lëvizshme operacionale, të ndihmuar nga efektivët e Sarandës dhe të Gjirokastrës kanë nisur operacionin për prangosjen e Klement Balilit, pagëzuar nga mediat greke si “Eksobari i Ballkanit”.

Nuk ka ende informacione zyrtare lidhur me operacionin, por burime bëjnë me dije se policia ka kontrolluar së pari, bizneset dhe banesat e tij në qytetet e jugut.

Në sitë do të kalojnë gjithë bizneset e Balilt, banesa dhe gjithë vendet e dyshuara ku mendohet se ai mund të strehohet. Mësohet gjithashtu se kontrolli do të shtrihet edhe në Delvine e zonat përreth.

Pak ditë më parë, Prokuroria e Krimeve të Rënda ka nisur hetimet për pasurinë e Klement Balilit, pas mbërritjes në Shqipëri të dosjes 10 mijë faqe nga Greqia. Në bazë të ligjit antimafia, hetuesit do të verifikojnë pasurinë e ish-zyrtarit në Sarandë.

Balili akuzohet zyrtarisht për veprën penale, trafikim të lëndëve narkotike në shtetin fqinji së bashku edhe me disa persona të tjerë shqiptarë të arrestuar më herët. I cilësuar nga grekët si “Escobari i Ballkanit”, Klement Balili zotëron kompleksin luksoz në Sarandë, “Santa Quaranta”.

Në dosjen greke thuhet se ka dyshime se 46-vjeçari ka ndryshuar identitet. Sipas hetuesve, ai fshihet në zonën e Sarandës duke pasur edhe mbrojtjen e policisë lokale. Për ta forcuar këtë akuzë, prokurorët grekë kanë shkruar në dosje se të dielën e 16 tetorit 2016, Balili kishte kaluar drejt shtetit maqedonas nëpërmjet pikës kufitare të Tushemishtit, me kartë identiteti të ndryshuar, ndërkohë që ishte kthyer po atë ditë në mbrëmje në vendlindje.

Transporti i trafikantit të drogës ishte bërë me autobusin e linjës, duke mos tërhequr edhe vëmendjen e autoriteteve kufitare. Përveç kërkesës për arrestim ndaj Balilit, në fillim të muajit nëntor mbërritën në Tiranë edhe 2 prokurorë grekë, të cilët kanë kërkuar intensifikimin e hetimeve pasurore për familjarët e 46-vjeçarit që jetojnë në disa vende të BE, si Itali e Gjermani. Prej 6 muajsh, Klement Balili është shpallur në kërkim nga Greqia.