Transmetuar më 08-12-2016, 13:31

Parlamenti Evropian dhe përfaqësuesit e shteteve anëtare arritën një marrëveshje mbi një mekanizëm për heqjen sa më të shpejtë të sistemit të vizave, njoftoi sot Këshilli i BE-së.

Ky hap pritet t’i hapë rrugë në mënyrë të pashmangshme marrëveshjeve të reja për liberalizimin e vizave.

Marrëveshja u arrit dje në mbrëmje mes negociatorëve të Parlamentit, Këshillit dhe Komisionit. Pritet ende që kjo marrëveshje të votohet zyrtarisht nga deputetët evropianë dhe shtetet anëtare.

“Marrëveshja është e ekuilibruar dhe mjaft e rëndësishme njëkohësisht si për efikasitetin dhe besueshmërinë e Unionit dhe politikës së tij për liberalizimin e vizave”, njoftoi në një deklaratë, Robert Kalinak, ministri i Brendshëm sllovak, vendi i së cilit mban presidencën e radhës të BE-së.

Kjo marrëveshje pritet t’i hapë rrugë për progreset e mëtejshme në diskutimet për liberalizimin e vizave me vendet e treta që përmbushin të gjitha kushtet e nevojshme”, shtoi Kalinak.

“Në këtë rast, kjo marrëveshje do të mundësojë marrjen në konsideratë brenda një periudhe të shkurtër të dy propozimeve në proces për liberalizimin e vizave për shtetasit e Gjeorgjisë dhe Ukrainës”, nënvizoi raportuesi për këtë dosje në Parlamentin Evropian, eurodeputeti spanjoll Agustin Diaz de Mera.

Zyrtarët nuk e përmendën Kosovën, e cila prej vitesh po pret heqjen e vizave me vendet e BE, një proces që ka njohuri vetëm stanjacion, premtime të pambajtura nga qeveritarët në Prishtinë dhe drejtuesit e Unionit.