Transmetuar më 05-12-2016, 14:21

Tiranë, 5 dhjetor 2016, NOA.al- Kryeparlamentari Ilir Meta, uron Imzot George Frendo për emërimin në krye të Arqipeshkvisë së Arkidioqezës Metropolitane Tiranë-Durrës.

Meta thotë se Shqipëria ka nevojë për dashuri, besim dhe shpresë.

“Besimi në Perëndi është një nga ato mundësi të lumtura që i afrojnë qytetarit më shumë dashuri dhe shpresë. Unë lutem dhe shpresoj se Ju do ta ngrini në një shkallë më të lartë këtë mundësi”, shprehet Meta.

Mesazhi i urimit të Metës

Shumë i nderuar Arqipeshkv i Arkidioqezës Metropolitane Tiranë-Durrës,

Imzot George Frendo,

Kam kënaqësinë e posaçme t’Ju uroj në Përuruimin Tuaj në këtë detyrë të lartë dhe jashtëzakonisht të rëndësishme. Kam shpresën e palëkundur dhe bindjen e pakthyeshme se Ju do të lini gjurmë të fortë në drejtimin e kësaj Arkidioqeze.

Shqipëria është atdheu i Nënë Terezës, Shenjtores së të varfërve, Qytetares së madhe të të gjithë botës dhe bijës së katolicizmit. Nëna e Shenjtë Terezë na mëson se: “mbase nuk mund të bëjmë dot gjëra të mëdha në të përditshmen tonë, por mund të bëjmë vepra të vogla me dashuri të madhe”. Dhe Shqipëria ka nevojë për dashuri. Ka nevojë për besim dhe shpresë. Dhe besimi në Perëndi është një nga ato mundësi të lumtura që i afrojnë qytetarit më shumë dashuri dhe shpresë.

Unë lutem dhe shpresoj se Ju do ta ngrini në një shkallë më të lartë këtë mundësi.

“Më i rëndësishëm është ndërtimi moral sesa ekonomik i një vendi”, ka thënë Ati i Shenjtë Papa Francesku gjatë vizitës së Tij në Tiranë. Edhe unë besoj modestisht se kjo është një nga të vërtetat drithëruese që duhet të na ndriçojnë në punën e përditshme, për të na dhënë vizionin e duhur dhe forcën e nevojshme për të kuptuar se për çfarë ka më shumë nevojë shoqëria shqiptare, e cila ka qenë dhe është në thelb një shoqëri evropiane.

Unë besoj se duke u kujdesur për besimtarët Tuaj, duke ndriçuar mendjet e tyre dhe duke ngrohur shpirtrat e tyre, ju do të gjeni rast të prekni, shihni dhe kontaktoni dhe me qytetarë të besimeve të tjera.

“Harmonia fetare në Shqipëri duhet të konsiderohet si dhuratë e Zotit, dhuratë e cila duhet ruajtur me kujdes, pasi ajo është thelbësore për lirinë tonë. Jemi të gjithë vëllezër dhe liria e besimit është kundër çdo lloj totalitarizmi dhe dhune”. Ky ka qenë gjithashtu një nga mesazhet e Papa Franceskut kur vizitoi tokën tonë. Është kështu dhe kështu do të jetë për gjithmonë.

Shkëlqesisë së Tij, George Frendo

Arqipeshkv i Arqiodioqezës Metropolitane

të Tiranës dhe Durrësit

Besoj se dhe Ju, në ushtrimin e misionit Tuaj të lartë do të vendosni një gur të çmuar në urën e madhe të bashkëpunimit, bashkëjetesës dhe tolerancës ndërfetare në Shqipëri, si një shembull që shoqëritë e sotme moderne në Evropë do të duhej ta ndjekin në përditshmërinë e tyre, shpesh shumë të trazuar e të turbullt.

Pres me padurim t’Ju takoj për t’ju uruar personalisht dhe t’Ju siguroj për respektin dhe mirënjohjen time të thellë për Ju dhe misionin Tuaj në Shqipëri.

Miqësisht

Ilir Meta