Transmetuar më 03-12-2016, 18:15

Muzeu Kombëtar i Fotografisë "Marubi" në qytetin e Shkodrës është nominuar për çmimin "Muzeu më i mirë i vitit në Evropë".

Ky është një ndër çmimet europiane më prestigjioze që do të jepet për muzetë që kontribuojnë në tërheqjen e audiencës.

Muzeu vlerësohet për faktin se u jep vizitorëve një atmosferë unike, duke i kushtuar vëmendje të veçantë edukimit të brezave në bashkëndarjen e një përgjegjësie shoqërore në kontekstin ku ata operojnë.

Drejtori i muzeut Luçjano Bedeni tha se ky nominim është ngjarja më e rëndësishme e muzeut.‘’Për këtë vit është evenimeti më i rëndësishëm i muzeut. Kuptohet edhe kjo për shkak të kohës së shkurtët që është inaguruar. Është një nder që Marubi po konkuron me një prej emrave më të rëndësishëm, si muzeu ‘’Picasso’’, apo muze të tjerë shumë të rëndësishëm të Europës’’, u shpreh Luçjano Bedeni, Drejtor i muzeut "Marubi".

Muzeu Kombëtar i Fotografisë “Marubi” u përurua në maj të këtij viti. Brenda tij gjendet thesari i dinastisë së Marubëve, i cili përmbledh foto të bëra që nga themelimi i studios më 1856 dhe deri në vitin 1989, shkruan Shqiptarja.com. Arkiva e pasur e tij me 500 mijë fotografi e ka zanafillën 160 vjet më parë, kur një italian me emrin Pjetro Marubi u vendos në Shkodër dhe çeli të parën studio fotografike shqiptare. 

Këtë studio ia trashëgoi Kel Kodhelit, që për respekt të themeluesit mbajti mbiemrin Marubi.Përmes këtij thesari fotografish tregohen periudha të rëndësishme të historisë së Shqipërisë.

Ceremonia e ndarjes se çmimeve për të shpallur fituesin "Muzeu më i mirë i vitit në Evropë", ku mes të nominuarëve është edhe “Marubi” do të zhvillohet në Zagreb në datat 3 deri në 6 maj të vitit 2017.