Transmetuar më 29-11-2016, 16:08

Një pjesë e madhe e Saturnit po ndryshon me shpejtësi ngjyrën dhe ky fenomen ka lënë pa fjalë edhe vetë NASA-n, që për momentin nuk është në gjendje që ta shpjegojë atë.

Ndryshimi i ngjyrës ka ndodhur në polin verior të planetit. Shkencëtarët kanë krahasuar imazhet e shkrepura në nëntor të 2012 nga ky skaj i planetit me ato të regjistruara në shtator të këtij viti.

Imazhet dallojnë qartë, në nëntor të 2012, Saturni ose më saktë poli verior i tij kishte një ngjyrë më të kaltër. Por sot kjo ngjyrë është zhdukur thuajse krejtësisht dhe është zëvendësuar nga një ngjirë e verdhë e zbehtë.

Që të dyja imazhet janë kapur nga sonda Cassini, që po vëzhgon këtë planet që prej vitit 2004 dhe megjithëse ka 12 vjet që e vëzhgon atë, sërish Saturni mbetet një ndër planetët më misteriozë të sistemit tonë diellor dhe këtë e tregon edhe rasti në fjalë.

Gjithsesi, shkencëtarët e NASA-s hipotezojnë se ky ndryshim mund të jetë shkaktuar nga ndryshimi i stinëve në këtë planet, në të cilin më parë është filmuar nga Cassini një superuragan në 2013.