Transmetuar më 27-11-2016, 22:03

Familja është gjëja më e rëndësishme dhe më sublime për shoqërinë njerëzore. Tek “Ka Një Mesazh Për Ty” familja është gjithmonë prezente, ndaj edhe këtë javë kjo rubrikë pjesë e programit “E Diela Shqiptare” e moderuar nga Ardit Gjebrea, ka sjellë historinë e dy motrave nga Ura Vajgurore. Kristi dhe Silva, janë rritur me shumë sakrifica nga prindërit, sidomos nga babai i tyre Roberti. Prej më shumë se njëzet vitesh, ai ka emigruar drejt Greqisë, për t’i plotësuar gjithçka familjes së tij. Por nga kjo largësi ka humbur disa nga momentet më të bukura që jeta të servir.

 Ndaj të dyja motrat kanë ardhur në studio, jo vetëm për t’i shprehur mirënjohje babait për gjithë mundin që ka derdhur, por kanë ardhur për t’i kërkuar edhe diçka tjetër. Nga sakrifica e madhe që Roberti ka bërë për familjen e tij, tashmë nuk është në gjendje të mirë shëndetësore.

Por si ka qenë jeta e tyre?

“Ne jemi një familje që jetojmë në Berat, në qytezën Ura Vajgurore. Ne jemi tre motra dhe një vëlla, së bashku me dy prindërit.

Ju jeni rritur pa babain?

Po, gjithmonë ai ka jetuar jashtë, në Greqi. Para gjashtë vitesh është kthyer këtu, por njëzet vite i ka kaluar andej pa ne.”

Silva për herë të parë e ka parë babain e saj në moshën 3- vjeçare, pikërisht në ditën e saj të lindjes.

“Si është që të rritesh pa babain duke e ditur që ai është dhe nuk ka asnjë problem me mamin?

Shumë e vështirë ka qenë.”

“Po sot si është babai nga gjendja shëndetësore?

Ai është 51 vjeç dhe është rënduar shumë, sidomos nga gjunjët sepse i mbledhin ujë, se nuk rri dot një sekondë pa punë. Ai ka perde në sy, me gjithë ato sakrifica që ka bërë. Gjithashtu vuan nga tensioni dhe nga zemra që e ka copë.

Të gjitha këto sëmundje i kanë ardhur se ka qenë larg jush?

Po sigurisht, se nuk i thonë pak njëzet vite larg gruas dhe fëmijëve. Ai ka sakrifikuar veten e vet për ne.

Për se e keni thërritur sot?

Për t’i dhënë një mesazh që ai të kujdeset për veten e tij dhe jo më për ne. Sepse veten e tij e ka lënë shumë pas dore, vetëm për të na plotësuar sikur dëshirën më të vogël.

Ka bërë shumë për ne. Ai është bota ime, gjithçka që dua në jetë ai është.

Sa vite keni jetuar me babin në shtëpi?

Vetëm pesë vite.

A është krijuar kjo lidhje e fortë ndërmjet jush?

Po shumë.”

Babai i vajzave, Roberti, i pranishëm në studio nuk mund ta besojë që nga ana tjetër e murit ishin pikërisht vajzat e tij të dashura. Ndërkohë ato i japin mesazhin, për të cilin e kanë thirrur:

“Ne jemi sot këtu për të treguar që të duam shumë, je drita e syve tanë, ata sy të të mos lotojnë më. Që po të pengojnë shikimin e syve ato perde, të njëzet viteve larg nesh. Gjithçka që ke bërë, ke lënë veten tënde pas dore, për të na plotësuar në çdo tekë e dëshirë, gjithçka. Ne jemi sot këtu për të treguar që të duam shumë dhe je mbështetja jonë më e madhe, je arsyeja e jetës tonë, sepse ia ke dalë mbanë i vetëm, ke çarë malet pa ndihmën e askujt. Na ke neve gjithmonë pranë, sot dhe përgjithmonë” – shprehet Silva.

“Babi ti je gjithçka që unë kam në jetë, je gjithçka ku jam sot. Të kujtohet ato rroba aty që ke përballë? Është veshja e parë që unë kam veshur kur kam ardhur në jetë, ndërsa ajo është gushorja që unë kam ngrënë gjithmonë ushqim. Sa do të doja që të ishe ti pranë meje, e kam bërë gjithmonë pis, por me mamin. E ka larë mami, por asnjëherë pranë teje. Ndërsa ajo është lodra që unë mbaja gjatë gjithë kohës me vete. Atë ma ke dërguar ti” – kujton Kristi.

“Gjithçka babi e bëri për ju, që të arrini deri këtu.”

“Edhe ne të sollëm sot këtu, për këtë që ti je dhe për këtë që ne jemi sot, vetëm falë teje.

Të kujtohet fustani rozë me topa? – i thotë Silva babait, kur ma ke dërguar nga Greqia kur kam qenë vetëm gjashtë muajshe?

Po zemrat e babit më kujtohen.

Gjithçka që ti e ke bërë, e ke bërë për ne, tani do të bëjmë ne për ty. Kujdesu për veten dhe mamin.

Po babi, po kam edhe djalin për të çuar në shkollë, siç ju çova juve të dyja.

Do ta çojmë ne djalin. Do të punojmë ne për vëllain. Boll punove ti. Ata lot që ti po qan sot, të lutem fshiji mos qaj më. Ti do të kesh gjithmonë mbështetjen tonë, asnjëherë nuk do të jesh vetëm. Vetëm ne e dimë se çfarë njeriu je ti, askush tjetër. Sado të tjerët ty të të bëjnë keq, po ti sërish ke shpirtin aq të pastër, që të gjithë e dinë sesi je ti.”

Këto fjalë zemre të dala nga thellësia e shpirtit nga vajzat, për babain e tyre Robertin, një baba që i ka munguar në çdo çast të bukur, në çdo sakrificë, sjellin në vëmendje një mesazh të fortë, familjen, bërthamën më të fortë të shoqërisë./tvklan.al