Transmetuar më 26-11-2016, 20:39

Rruga e kthimit për në vendlindje është kthyer në një tragjedi për familjen Dvorani nga Tersteniku i Drenasit.

Në mes të natës së 24 dhe 25 nëntor të këtij viti, në rrugën Suboticë-Novisad, familja e Astrit Rrahim Dvoranit, gjatë kthimit nga Austria për në Kosovë, pëson aksident ku humbin jetën dy fëmijët e mitur të familjes së Astrit Dvoranit.

Njëri quhet Muhamhet A. Dvorani, 8-vjeçar, dhe tjetri Mendim A. Dvorani që ishte vetëm 5-vjeç. Sipas burimeve, babai i tyre gjendet në Spitalin e Novi Sadit duke marrë tretman mjekësor.

Sipas mediave serbe, një mjet i rëndë me targa të Maqedonisë ishte ndalur para një këmbësori të cilin e kishte goditur një kamion, ndërsa automjeti tip “Mercedes” me targa të Austrisë, në tentativë për t’ju shmangur trupit të këmbësorit, e ka goditur rrethimin e më pas është ndalur në kamion, transmeton lajmi.net.

“Dy fëmijë të moshës 5 dhe 8 vjeç dhe një burrë i moshës rreth 45-vjeç kanë humbur jetën, ndërsa janë lënduar edhe dy persona”, ka thënë mjeku Bursaç për mediat serbe.

Fëmijët që ndërruan jetë në këtë aksident janë qytetarë të Austrisë, ndërsa personi i katërt në makinë është nga Kosova, ka thënë policia serbe.