Transmetuar më 25-11-2016, 11:37

Bruksel, 25 nëntor 2016, NOA.al- Ministri i Punëve të Jashtme i  Kosovës, Enver Hoxhaj takoi sot përfaqësuesen e lartë të Bashkimit Europian për Politikë të Jashtme, Federica Mogherini, me të cilën nënshkruan marrëveshjen për afrimin e Kosovës në programet e BE-së.

Marrëveshja e nënshkruar sot për qasje të Kosovës në programet e BE-së, ndërmjet ministrit Hoxhaj dhe përfaqësueses Mogherini, është marrëveshja e dytë kontraktuale pas marrëveshjes së Stabilizim Asociimit mes Kosovës dhe BE-së.

Hoxhaj tha se arritja e kësaj marrëveshjeje është një hap jashtëzakonisht i rëndësishëm pasi që me nënshkrimin e saj Kosova do të përfitojë afrim në programe dhe projekte konkrete ku do të mund të aplikojnë sektori privat, sektori publik, shoqëria civile, institucionet akademike dhe qytetarët e Kosovës.

“Arritja e kësaj marrëveshje është një hap jashtëzakonisht i rëndësishëm për shkak që i mundëson sektorit privat dhe publik, shoqërisë civile, institucioneve akademike, si dhe qytetarëve të Kosovës të konkurrojnë për fonde dhe projekte në kuadër të programeve. Programet kanë fushëveprimtari të ndryshme si hulumtimi dhe inovacioni, energjia dhe transporti, shëndetësia, kultura, arsimi, sporti, rinia, zhvillimi i ndërmarrjes dhe konkurrencës, mbrojtja e ambientit, punësimi, politikat sociale e shumë fusha të tjera”, u shpreh Hoxhaj.