Transmetuar më 23-11-2016, 22:55

Lideri i opozitës, Lulzim Basha komenton serinë e humbjeve që Partia Demokratike dhe koalicioni që ai drejton, që nga viti 2013 e në vazhdim. Opozita e sotme humbi thellë zgjedhjet parlamentare më 2013. në vijim shënoi një tjetër humbje edhe më të thellë në zgjedhjet lokale të 2015. Po ashtu, ka humbur të gjitha zgjedhjet e pjesshme që janë zhvilluar gjatë tre viteve të fundit.

Kreu opozitar, thotë se këto humbje e kanë origjinën te shitblerja e votës, agresioni qeveritar dhe trafiku i drogës.

Duke u ndalur te humbja në Kolonjë, ku Basha kandidoi aleatin e agrarëve të Agron Dukës, lideri demokrat tha se “kushdo që kërkonte një provë tjetër, jo se ishte e nevojshme, ja ku e ka: Në një zonë ku historikisht e majta ka qenë e avantazhuar, nuk iu përmbajtën dot nevojës për të shkatërruar procesin zgjedhor përmes shitblerjes së votës dhe presioneve siç mediat e kanë dokumentuar shumë mirë”.

Në intervistën e mëposhtme, z.Rama i jep përgjigje edhe faktit që PD a humbur të gjitha sfidat elektorale që pas humbjes më 2013, si dhe ndalet në vendimin për një hapje të re të PD:

PD ka humbur në çdo përballje elektorale që prej 2013-ës. Në çdo sfidë, ju keni rezultuar humbës. Si e komentoni?

Interesat e këtyre që prishin zgjedhjet, që blejnë votat, që kanë kthyer Shqipërinë në hambar droge, janë interesa miliarda euroshe dhe me këto miliarda euro që në fakt i takojnë taksapaguesve shqiptarë, në vend që të bëhen investime, në vend që të hapen vende pune, në vend që t’u vihet në ndihmë të sëmurëve, fëmijëve nëpër shkolla, përfiton një grusht njerëzish. Beteja është me këtë pakicë, me këtë elitë të inkriminuar dhe të korruptuar e cila ka interes pasurimin e saj dhe për pasurimin e saj nuk ndalet, as para kapjes dhe prishjes së zgjedhjeve, as para blerjes, kapjes dhe vënies në kontroll të medias, as para shkeljes flagrante të ligjit, as para paktit me krimin, por mund dhe do të ndalet me një aleancë të madhe qytetare, e cila duhet të besojë në një ndryshim të vërtetë, ndaj procesi do të jetë i vështirë, sepse kur ky grusht njerëzish kontrollon pasuritë e shqiptarëve, kontrollon buxhetin e shqiptarëve, do ta kuptojë se përballë nuk ka thjesht një parti politike që kërkon të vijë në pushtet, por ka një vullnet të madh politik të Partisë Demokratike dhe të qytetarëve për një ndryshim rrënjësor të sistemit politik në qendër të të cilit të jetë shporrja e këtij modeli, ky grusht njerëzish që kontrollojnë pasurinë sigurisht do të bëjë rezistencë të plotë me të gjitha format dhe mënyrat, siç po bëjnë edhe sot jo për hir të parimit, por për hir të milionave që fusin në xhep ditë për ditë në kurriz të shqiptarëve të papunë, të varfëruar dhe të sjellë deri në kafshatën e bukës për fëmijët dhe gjendjen më katastrofike të shërbimeve që duhet ta ofrojë shteti.

Konkretisht çfarë do të thotë hapje e PD?

Ju dhe të gjithë kolegët tuaj do të keni mundësinë në mënyrë të zgjeruar dhe të plotë të bëni pyetje, të merrni informacione nga unë dhe nga të gjithë përfaqësuesit e PD. Ajo që desha të njoftoj sot është që ky proces është futur në një faze finale që bashkëbisedimi për hapjen dhe për demokracinë  e brendshme në PD do të çojë në një produkt politik, në një vendimmarrje politike dhe qëllimi është të sjellim një ndryshim tek i cili njerëzit besojnë, tek një rreze drite që nuk shuhet dhe nuk do të shuhet me ardhjen e PD në pushtet, por do të ndryshojë demokracinë duke i fuqizuar qytetarët, duke i bërë ata zotërit e vërtetë të Shqipërisë, resurseve të saj, buxhetit të saj, dhe të ardhmes së fëmijëve të tyre

Ndonjë gjë konkrete?

Po mundohem të shmang arrogancën dhe cinizmin, që janë pronë e kundërshtarit politik. Mesazhi ka qenë i qartë. Ju realitetin politik e njihni. Konkretisht, kjo do të thotë që PD bëhet gati për një hapje të vërtetë, jo makijazh. Konkretisht kjo do të thotë që së bashku me demokratët do tu ofrojmë shqiptarëve një parti politike për interesat e tyre, jo për interesat e mia, apo drejtuesve të kësaj partie. Dhe ky është një proces i vështirë por ne e dimë rrugën përmes të cilës ecet, sepse është një rrugë që shoqëritë normale e kanë bërë dhe prandaj janë shoqëri normale, drejt të cilave duan të emigrojnë sot 70% e popullsisë së Shqipërisë.

Po ndërkohë, përsa i përket demokracisë së brendshme?

Padyshim është një proces dhe nuk mund të përmblidhet në një intervistë duke qëndruar këtu në këmbë, por mund të përmblidhet në një sërë vendimesh që do ti japin rrugë hapjes së PD, për të thithur në gjirin e saj të gjithë ata që duan të kontribuojnë që të mos ketë gardh as fizik dhe as mendor, për të dhënë kontributin e tyre në një demokraci pjesëmarrëse për qytetarët. Mekanizmat, mënyrat sesi do ta bëjmë këtë të mundur, që të mos jetë makijazh as përfaqësim i zgjedhur me dorë, por të jetë me të vërtetë produkt i besueshmërisë së re të PD në raport me dëshirën e çdo shqiptari për ndryshim, këto ne do t’i shohim e do t’i dëshmojmë së bashku.

Kur do t’i prezantoni drejtuesit e zgjedhur nëpër qarqet e vendit sepse jeni shumë vonë duke marrë në konsideratë se pala tjetër e ka bërë këtë gjë prej kohësh?

Pala tjetër është hedhur në sulm për të ruajtur status-quonë, për të ruajtur privilegjet e tenderëve, të prokurimeve që vjedhin, për të zhvatur, për të vazhduar paktin e tyre me krimin. Pra nuk është thjesht çështje caktimi, është çështje e një përqasje të re, në thelb të të cilës do të jetë hapja, do të jetë demokracia e brendshme, kufizimi i pushtetit, dhënia e vendimmarrjes anëtarësisë së PD, garantimi i qytetarëve se ndryshimi që ne do të sjellim dhe do ta sjellim, do të jetë një ndryshim i vërtetë dhe jo makijazh. Do të jetë ndryshimi tek i cili ata mund të besojnë dhe që do të ndryshojë jetët e tyre dhe jo thjesht jetën apo fatin e  drejtuesve të një partie politike.

A do të afroni ata të cilët janë larguar për shkak të Sali Berishës? Dhe ka plot demokratë të tillë…

Pyetja juaj është e paragjykuar se nuk mund të thuash që janë larguar prej këtij apo atij. Një gjë ju them, bashkimi i çdo demokrati në respekt të diversitetit të mendimit të çdo kujt, është deviza që unë kam shpallur prej ditës së parë si kryetar i kësaj partie dhe do të jetë patjetër një nga parimet kryesore të bashkimit dhe të hapjes si procesi që do ti japë rrugë një shprese të re për Shqipërinë dhe një politike në thelb të së cilës do të qëndrojë ndryshimi i vërtetë dhe jo thjesht rrotacioni politik.

Ju flisni për hapje partie por strukturat janë ende në zgjedhje dhe ende nuk e keni mbyllur. A e dëmton kjo PD?

Njëra nuk e përjashton tjetrën. Procesi i zgjedhjeve është drejt përmbylljes,  është një proces që tregon dinamizmin e PD, kërkimin gjithmonë të më të mirit, të më të zotit përmes votës së anëtarëve dhe jo tekave të kryetarit, dhe është një nga themelet e punës që do të çojnë më tutje dhe do ta kulminojmë me këtë hapje të re dhe me një zgjerim të demokracisë së brendshme në PD.

Z.Basha ju flisni për demokracinë e brendshme, por z.Selami pak kohë më parë kërkoi mbledhjen e Këshillit Kombëtar dhe nuk u realizua, nuk ja dhatë këtë mundësi, ai nuk i mbledh dot firmat…

Këshilli Kombëtar është mbledhur dhe mblidhet për të marrë vendime të rëndësishme të PD. Dhe padyshim si të gjitha forumet, si grupi parlamentar, si kryesia e PD, si Këshilli Kombëtar do të kenë rolin e tyre në vendimmarrjen që na pret. Por kësaj vendimmarrje do t’i prihet nga një bashkëbisedim i sinqertë ku çdokujt i kam kërkuar, deputetëve, kryetarëve të degëve, anëtarëve të Këshillit Kombëtar, anëtarëve të PD të kontribuojnë, edhe të tjerëve, simpatizantëve, mbështetësve, pse jo edhe kritikëve tanë, të kontribuojnë pra për një proces të vërtetë dhe jo për një makijazh. Për një proces të vërtetë nga i cili PD do të dalë si një parti moderne, përfaqësuese, e vërtetë e shumicës së shqiptarëve që kërkojnë një ndryshim tek i cili mund të besojnë, jo thjesht rrotacion.

Po ju e nisët një hapje të tillë para dy vitesh…

Hapja ka nisur para tre vitesh, dhe jo para dy vitesh. Hapja ka vazhduar çdo ditë. Por sot produkti i kësaj hapje do të reflektojë aleancën tonë me qytetarët për të cilën kemi folur gjithë këto vite para betejës së madhe, për t’ia dhënë qytetarëve në dorë pushtetin që iu takon.