Transmetuar më 18-11-2016, 18:46

Në Janinë të Greqisë, gjykata kumtoi sot vendimin për të dënuar me 30 muaj burgim, dy punonjësit e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë, të cilët u ndaluan më 14 nëntor nga doganierët grekë në pikën kufitare të Kakavijës me një furgon ku gjendej një sasi librash e fletë-palosjesh ku sipas dosjes penale kishte pamje të “Shqipërisë së Madhe”.

Në dosjen hetimore thuhej se Altin Tafa dhe Agim Asllani po i fusnin në Greqi këto materiale me dy qëllime: Për t’i shpërndarë te nxënësit shqiptarë si dhe për të hedhur në rrugë fletë-palosje teksa do të kalonte pranë zyrave të larta qeveritare në Athinë, Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barack Obama.

Dy punonjësit nuk ishin të pranishëm në sallën e gjyqit sot teksa shqyrtohej çështja në ngarkim të tyre, raporton noa.al.

Ndërsa ishte i pranishëm Konsulli i Shqipërisë në Janinë, Sofokli Vasili. NOA mësoi se z.Vasili kërkoi që të jetë në gjyq si palë mbrojtëse e shtetit shqiptar dhe e dy punonjësve të MPJ që u gjykuan në mungesë.

Gjykata e refuzoi kërkesën e z.Vasili. Ajo i sugjeroi konsullit shqiptar që mund të paraqitet në rolin e dëshmitarit, kurse tha se pala shqiptare dhe dy të akuzuarit mund të merrnin avokatë mbrojtës.

Në seancë është paraqitur përgjegjësja e pikës kufitare të Kakavijës të territorit grek. Ajo dëshmoi se furgoni nuk kishte targa të shërbimit diplomatik, por të zakonshme ndaj edhe proceduan me kontrollin e tij. Megjithatë, zyrtarja pranoi se dy punonjësit e MPJ ishin të pajisur me pasaporta shërbimi. Sipas ligjit, personat që kanë pasaporta diplomatike ose shërbimi dhe automjetet e tyre dhe ato me targa diplomatike nuk mund t’i nënshtrohen kontrollit kufitar apo të sektorëve të tjerë policorë të çdo vendi përveçse me mandate prokurorie apo gjykate ose në kushtet e flagrancës.

Zyrtarja doganore greke tha se nga kontrolli që iu bë mjetit u gjetën disa kuti dhe u krijua dyshimi për kontrabandë. Për këtë shkak, – tha ajo, vijoi kontrolli i kutive nga ku u konstatuan librat dhe fletë-palosjet. “Nga një prej kutive nxora një libër dhe pashë në të harta të Shqipërisë së Madhe ndja njoftova policët e komisariatit më të afërt”, – deponoi ajo. Zyrtarja greke, sikurse citon noa.al burime nga seanca gjyqësore sot në Janinë, tha se materialet që u gjetën kishin qëllime propagandistike.

Lidhur me vazhdimin e kontrollit, dëshmoi në gjyq një punonjës policie: “Pashë Brenda librave, harta që tregonin kufijtë e Shqipërisë deri në Prevezë, duke përfshirë në territorin shqiptar edhe Janinë, Kosturin e Follorinën. Po ashtu edhe përshkrimin “Çamëria”. Njoftova përgjegjësin tim sepse gjykova se ishte përmbajtje e paligjshme. Në total u gjetën 1512 libra dhe fletëpalosje”.

Zyrtari policor tha se dy punonjësit e MPJ u ndaluan me dyshimet se materialet që iu sekuestruan, cenonin marrëdhëniet dypalëshe.

Prokuroria greke ka deklaruar se tekstet kishin përmbajtje sensitive dhe antigreke, çka sipas tyre përbën shkelje ligjore.

Gjykata vendosi në fund që dy punonjësit e MPJ të dënohen në mungesë me 30 muaj heqje lirie.

Seanca gjyqësore u ndoq nga dy zyrtarë të lartë të Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë.

Në seancë pati debate të forta, teksa u hodhën akuza se porositësi i librave me “Shqipërinë e Madhe” ishte ambasadori shqiptar në Athinë, Dashnor Dervishi.

Pas dhënies së dënimit, Konsulli i Përgjithshëm shqiptar në Janinë, Sofokli Vasili, kur u pyet në lidhje me rastin, tha se nuk dëshiron të komentojë mbi vendimin e drejtësisë greke.

***

Altin Tafa dhe Agim Asllani u ndaluan nga policia greke më 14 nëntor dhe gjatë kontrollit në makinën me të cilën udhëtonin, tip furgon, u janë gjetur libra dhe fletëpalosje në gjuhën shqipe, në përmbajtjen e të cilëve ishte edhe harta e Shqipërisë së Madhe. Mësohet se librat në gjuhën shqipe dy punonjësit e MPJ do t’i dërgonin në ambasadën shqiptare në Athinë për fëmijët e emigrantëve që jetojnë në Greqi.

Pas incidentit reagoi ambasadori shqiptar në Athinë Dashnor Dervishi. Ai tha se në librat që dy punonjësit e MPJ kishin me vete nuk ka pasur asnjë përmbajtje provokuese, por ishin tekste që vijnë çdo vit për kurset e gjuhës shqipe. Ai hodhi poshtë aludimet se në tekste ka patur harta të ashtuquajturës “Shqipëri e Madhe”. “Një nga librat ka një hartë të Shqipërisë, harta normale e Shqipërisë, dhe tregon që popullsi shqiptare ka edhe në vende të ndryshme të botës. Ka në Kosovë, Maqedoni, Amerikë, Australi, Kanada; gjysma janë brenda, gjysma janë jashtë vendit, pra tregon përhapjet e popullsisë shqiptare jashtë territorit shqiptar. I gjen në Ministri të Arsimit, në Ministrinë e Jashtme; nuk janë për shkolla, janë për kurse. Kanë ardhur çdo vit këto libra, nuk është hera e parë”, tha z. Dervishi.

Nga ana tjetër, ai tha se këta libra do të shikohen edhe njëherë. “Librat do vazhdojnë do shikohen, do seleksionohen. Po e ndjekim këtë çështje, ka një procedurë”.

Lidhur me incidentin, foli edhe Konsulli në Janinë, Sofokli Vasili i cili noftoi se pas bisedimeve dypalëshe u lanë të lirë dy punonjësit e MPJ të cilët në fakt u vendos të gjykohen në gjendje të lirë. “Të dy shoferët janë të liruar edhe nga policia, edhe nga drejtësia. Problemet e tjera do të zgjidhen në mënyrë diplomatike, në kanalet diplomatike”, u shpreh para seancës së sotme, konsulli shqiptar në Janinë.

Ndalimi i dy shoferëve të MPJ në Greqi, ambasadori: Tekstet s’ishin provokuese

Arrestohen në Greqi dy shoferë të MPJ, transportonin libra në shqip

Lirohen dy shoferët, MPJ: Librat, për fëmijët shqiptarë në Greqi