Transmetuar më 18-11-2016, 18:03

Loja për celularë “Sea Hero Quest” prezantuar nga Deutsche Telekom është luajtur nga rreth 2.5 milionë persona në 193 vende të botës duke kontribuar në studimin më masiv të demencës në histori. Drejtori Ekzekutiv i Deutsche Telekom, zoti Tim Höttges thotë se “Dixhitalizimi sjell novacion për sa i përket progresit”. Rezultatet fillestare pritet të ndihmojnë për zhvillimin e testeve që do të diagnostikojnë demencën në fazë të hershme. Tashmë loja “Sea Hero Quest” do të përshtatet për përdorim klinik

Loja “Sea Hero Quest” u prezantua nga Grupi Deutsche Telekom në maj të këtij viti dhe arriti të vendosë standarde të reja në studimin e demencës. Loja është zhvilluar në bashkëpunim me University College të Londrës, University of East Anglia në Mbretërinë e Bashkuar, fondacionin Alzheimer’s Research dhe kompaninë e lojërave Glitchers.

Deri më sot lojën “Sea Hero Quest” e kanë luajtur rreth 2.5 milionë persona duke shënuar kështu suksesin e parë global në lidhje me orientimin e njeriut në hapësirë. Kjo arritje është thelbësore për zhvillimin e metodave të reja për diagnostikimin e hershëm të demencës. “Sea Hero Quest” ka vënë në provë aftësitë orientuese të njerëzve të moshave dhe gjinive të ndryshme nga mbarë bota. Ekipi i studiuesve i ka bërë të ditura rezultatet fillestare nga analizimi i të dhënave të lojës, në konferencën ndërkombëtare “Neuroscience 2016” në San Diego të SHBA.

Loja “Sea Hero Quest” është një shembull i drejtpërdrejtë i përgjegjshmërisë dixhitale dhe i lidershipit të Deutsche Telekom në fushën e novacionit. “Miliona njerëz kanë dhënë informacion që ndihmon betejën kundër demencës. Ky volum i madh informacioni, i ruajtur i sigurt online, na jep mundësi t’u ofrojmë shkencëtarëve lëndën e parë që u nevojitet për kërkime moderne,” tha zoti Tim Höttges, Drejtor Ekzekutiv i Grupit Deutsche Telekom. “Dixhitalizimi sjell novacion për sa i përket progresit në sektorin e shëndetit publik”.

Dr. Hugo Spiers, i University College të Londrës, ka kryesuar analizimin e të dhënave anonime të mbledhura, i ndihmuar nga Dr. Michael Hornberger, profesor i kërkimeve të aplikuara të demencës në University of East Anglia. Rezultatet e para tregojnë se aftësia jonë për t’u orientuar fillon të zvogëlohet në moshën e hershme madhore (shembujt e përfshirë në analizë janë 19 vjeç e sipër) dhe vazhdon këtë trajektore gjatë gjithë jetës. Për shembull, lojtarët e moshës 19 vjeç kishin 74% saktësi në goditjen e objektivit në lojë, ndërsa shifra ulej në 46% për lojtarët e moshës 75 vjeç. Ky përfundim rrëzon studimet e mëparshme të kryera në shkallë më të vogël (me rreth 100 pjesëmarrës), sipas të cilave zvogëlimi i kësaj aftësie pritej në mosha më të mëdha.

Kjo nismë dëshmon se si dixhitalizimi mund të sigurojë bazat themelore për studime. Brenda pak muajve u grumbullua sasia më e madhe e informacionit në llojin e vet. Vetëm në Shqipëri loja u shkarkua dhe u luajt nga rreth 50.000 persona. Nëse marrim parasysh raportin me popullsinë, kjo shifër është më e larta nga të gjitha vendet që dhanë kontribut. Një fakt interesant: numri më i madh i lojtarëve të “Sea Hero Quest” në Shqipëri janë meshkuj, që arrijnë 61% të numrit total.

Informacioni dixhital i krijuar nga loja ruhet në mënyrë anonime dhe të sigurt në shërbimin “cloud”.

“Sea Hero Quest” tashmë mund të shfrytëzohet për të ndihmuar diagnostikimin e demencës në fazat e hershme, si edhe për trajtimin e pacientëve me demencë. Loja do të shfrytëzohet në vazhdimësi edhe për të matur përmirësimin e mundshëm të aftësisë orientuese tek pacientët. Kalimi i “Sea Hero Quest” në fazën klinike krijon mundësinë e matjes së përmirësimit të mundshëm të aftësive orientuese, ndaj mund të përdoret gjatë testimeve të mjekimeve për të vlerësuar efikasitetin e tyre.

Përpunimi i mëtejshëm i informacionit të mbledhur pritet të përfundojë pas dy viteve. Analizat e mëvonshme do të vlerësojnë edhe veçoritë demografike, ku përfshihet niveli i arsimimit, përdorimi i dorës së djathtë ose të majtë, aftësia orientuese, mjedisi gjeografik ku janë rritur lojtarët, orët e gjumit dhe koha e kaluar në udhëtime për çdo ditë.

Ndikimi i këtij studimi është një arritje e vërtetë në luftën kundër demencës, një epidemi botërore që parashikohet të prekë 135 milionë njerëz në vitin 2050.

Loja mund të shkarkohet falas në App Store dhe Google Play. Informacionet e gjeneruara vazhdojnë t’u dërgohen shkencëtarëve dhe komunitetit të studiuesve të demencës.

“Sea Hero Quest” fiton nëntë çmime “Luani i Kanës”

Sea Hero Quest, Deutsche Telekom angazhon 1 milion njerëz në ndihmë të luftës kundër demencës

Telekom Albania prezanton lojën e re në celular “Sea Hero Quest”

Deutsche Telekom prezanton lojën e re në celular “Sea Hero Quest”