Transmetuar më 17-11-2016, 12:50
Bordi i Drejtorëve Ekzekutivë të Bankës Botërore miratoi financimin prej 71 milionë dollarësh për projektin e Menaxhimit të Integruar Urban dhe Turizmit në Shqipëri. Ministria e Zhvillimit Urban është institucioni drejtues në këtë projekt, i cili parashikohet të zbatohet brenda 5 vjetësh. Marrëveshja e huas, për këtë projekt, do të kalojë së shpejti për ratifikim në Parlamentin Shqiptar.

Objektivat e projektit janë: përmirësimi i infrastrukturës urbane,  përmirësimi i aseteve turistike, si dhe forcimi i kapaciteteve institucionale për të mbështetur zhvillimin e ekonomive lokale, të lidhura me turizmin, në zonat e përzgjedhura në Jug të Shqipërisë.

Në kuadër të implementimit të politikave të zhvillimit rajonal, Qeveria Shqiptare ka përcaktuar rajonin bregdetar, zona Vlorë-Sarandë, si dhe zonën më në brendësi Berat, Gjirokastër, Përmet, si një rajon prioritar që mbart potenciale konkrete, si nga ana e peizazhit, ashtu edhe nga ana e aseteve të trashëgimisë kulturore, për të zhvilluar turizmin si shtysë për të nxitur rritjen ekonomike, rajonale dhe rrjedhimisht edhe atë kombëtare.

MZHU ka udhëhequr procesin e hartimit të 3 planeve të rëndësishme territoriale, dy nga të cilat “Plani i Përgjithshëm Kombëtar”, si dhe “Plani i Integruar Ndërsektorial i Bregdetit”, përcaktojnë qartë potencialin që mbart rajoni bregdetar i Jugut, sidomos në funksion të krijimit të produkteve turistike të diversifikuara që forcojnë lidhjen e bregdetit me zonat territoriale më në thellësi të tij.

Projekti për “Zhvillimin e Integruar Urban dhe Turizmit” ka për qëllim të ulë varfërinë dhe të rrisë mirëqenien në bashkitë, tek të cilat do të përqendrohet zbatimi i tij, si dhe të nxisë konkurrencën dhe rritjen ekonomike përmes zhvillimit të infrastrukturës dhe turizmit të qëndrueshëm e cilësor. Projekti shtrihet në një zonë të populluar nga 84.000 banorë, ndërkohë që Jugu i Shqipërisë llogaritet të vizitohet nga 300 000 turistë në vit.

Aktivitetet e projektit do të përfshijnë përmirësime urbane dhe infrastrukturore, restaurim të objekteve të trashëgimisë kulturore, si dhe zhvillimin e produkteve dhe tregut turistik.