Transmetuar më 15-11-2016, 19:52
Zbulohen detaje të reja nga vdekja në rrethana misterioze e aktivistit të Vetëvendosje, Astrit Deharit në paraburgimin e Prizrenit. I ftuar në rubrikën “Opinion” në studion e lajmeve në News 24, aktivisti i Vetëvendosje Bojken Abazi akuzon institucionet në Kosovë për të dhëna kontradiktore në lidhje me vdekjen e shokut të tij, i akuzuar si personi që qëlloi me antitank godinën e Kuvendit të Kosovës natën e 4 gushtit 2016-të dhe që u gjet i vdekur më 5 nëntor në qelinë e burgut ku mbahej.

Sipas Abazit, fillimisht është thënë nga autoritetet se Dehari ka vdekur nga overdoza, por një autopsi me mjekë të pavarur ka zbuluar që I riu ka humbur jetën nga asfiksia, si pasojë e një shisheje plastike me mjaltë të ngecur në fyt. Abazi thotë se në trupin e tij kishte edhe shenja të tjera dhune dhe se duhet të zbardhet e vërteta.

“Ajo që ka ndodhur me Astritin është sulm politik. Sulm politik që i bëhet kujtdo në Kosovë, nga një regjim që ka instaluar një gjendje terrori, që i merr aktivistët në pranga dhe i kthen në arkivole. Ai u arrestua më 30 gusht. Menjëherë pas vdekjes së Astritit u tha se ka vdekur nga ilaçet nga overdoza, kanë thënë se ka vdekur rrugës për spital, pastaj se ka vdekur në spital. U mbajt një autopsi, u gjetën 2 doktorë të pavarur. Rezultoi se në trup nuk kishte asnjë shenjë të asnjë medikamenti. Arsyeja e vdekjes siç është deklaruar edhe nga mjekësia ligjore është se një objekt i fortë i është futur në fyt dhe i ka penguar frymën”,- tha Abazi.

Po sipas Abazit, në trupin e aktivistit që ka vdekur në qelitë e paraburgimit janë gjetur edhe shenja dhune. “Në trupin e tij janë gjetur shenja të qarta dhune, në njërën dorë ka pasur hematoma, gërvishte në hundë, shenja në gojë, mendohet se i është fitur një shishe plastike me forcë…Tani që kemi këtë informacion dyshojmë se vdekja e Astrit mund të jetë një vrasje e organizuar. Kemi kërkaur hetim të pavarur”,- shtoi ai.

Ndërsa deklaroi se në lidhje me këtë ngjarje duhet të japin dorëheqje që nga ministrat e linjës deri tek zinxhiri komandues i paraburgimit të Prizrenit, Abazi apeloi që edhe politika shqiptare duhet të reagojë.