Transmetuar më 15-11-2016, 15:25

Prishtinë, 15 nëntor 2016, NOA.al – Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot në një takim me kryetaren e Bashkisë së Sarandës, Florjana Koka, si dhe një grup të përfaqësuesve të bizneseve të ndryshme nga Shqipëria ka kërkuar nga biznesmenët që të investojnë në Kosovë. Ndërsa Florjana Koka gjatë takimit e ka personifikuar Hashim Thaçin me tiparet e ullirit që, sipas saj, janë fisnikëria dhe paqja, shkruan Gazeta Express.

Zyra për medai njofton se Presidenti falënderoi kryetaren Koka për mikpritjen e përzemërt dhe tradicionale të turistëve nga Kosova. Mirëpo, Thaçi ka thënë se bashkëpunimi strategjik ndërmjet dy shteteve duhet të jetë më dinamik edhe në fusha të tjera.

“Shqipëria është partneri ynë i natyrshëm strategjik. Dua të shoh më shumë biznese të Shqipërisë në Kosovë dhe anasjelltas. Na duhet një dinamikë e re në shkëmbimet tregtare”, ka thënë presidenti.

Ai ka inkurajuar të gjithë përfaqësuesit e bizneseve që të investojnë në Kosovë në sektorë të ndryshëm, duke kontribuuar kështu në zhvillimin ekonomik, si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë.

Nga ana tjetër, kryetarja e Bashkisë së Sarandës, Florjana Koka, ka shprehur mirënjohje për qytetarët e Kosovës që edhe këtë vit kanë kaluar pushimet në bregdetin shqiptar. “Duam të forcojmë shkëmbimet ekonomike me Kosovën, prandaj kemi sjellë përfaqësues të bizneseve nga Saranda, të cilët kanë sjellë produktet e tyre me vete”, ka thënë ajo.

Kryetarja Koka ka thënë se është po ashtu e rëndësishme që nga kjo vizitë të nxisim bizneset nga Kosova që të investojnë në Shqipëri. Në fund, kryetarja e Sarandës ia ka dhuruar presidentit Thaçi një pemë ulliri. “Kjo është një bimë fisnike dhe e paqes. Ju përfaqësoni të njëjtat tipare”, ka thënë ajo, duke ia dhuruar presidentit bimën e ullirit./noa.al/