Transmetuar më 12-11-2016, 14:19

Frikë provokon ngjarja që zbuloi policia në Greqi, ku një emigrant në moshë të mitur, është përdhunuar nga tre bashkatdhetarë të tij të cilët e dinin qartësisht se ishin të prekur nga AIDS, duke ia transmetuar edhe djalit të pafajshëm.

Ngjarja ka për protagonistë një djalë 17-vjeçar, emigrant nga Pakistani në Greqi dhe tre djem më të rritur, gjithashtu pakistanezë, përkatësisht 22, 22 dhe 30 vjeç, raporton noa.al duke cituar burime zyrtare nga Policia e Selanikut që publikuan sot të dhënat pas përmbylljes së operacionit për çlirimin e pengut.

Tre agresorët, të cilët njihen se janë pacientë të prekur nga sëmundja vdekjeprurëse e AIDS, e kishin rrëmbyer djalin e mitur dhe e mbanin peng prej ditësh në një banesë ku jetonin, në qendër të Athinës. Atje, e kanë përdhunuar në grup. E ndërkohë, kishin kontaktuar me babain e të miturit duke i kërkuar një shumë parash prej 50 mijë eurosh në këmbim të lirimit të djalit nga pengmarrja.

Nuk ka mjaftuar kjo. Autorët kanë bërë një videoregjistrim akti përdhunimi dhe kanë kërcënuar se do ta hedhin në YouTube në rast se do të kërkonin ndihmën e policisë.

Mes tre autorëve dhe babait të të miturit ka nisur një rrjedhë negociatash për shumën e kërkuar. Babai i djalit i ka thënë se nuk mund të paguante dot 50 mijë euro. Në fund, ata kanë rënë dakord për pesë mijë euro dhe kanë lënë të bëjnë këmbimin e parave me djalin.

Këtu ka ndërhyrë policia e cila u informua më herët nga babai i adoleshentit. Teksa autorët po merrnin shumën e parave u kapën nga policia e cila çliroi edhe pengun.

Nuk ka të dhëna në lidhje me ecurinë shëndetësore të djalit i cili pasi u detyrua të përballej me përdhunim të vazhdueshëm nga tre të rinjtë, dyshohet se është prekur edhe ai nga AIDS. /a.b/noa.al/