Transmetuar më 12-11-2016, 14:02

Tre të rinj shqiptarë mbetën të plagosur natën duke gdhirë dita e sotme në Selanik, pas një përleshjeje ku u përdorën thika dhe armë zjarri.

Ngjarja ndodhi në vendin e njohur si “Rotonda” në qytetin e Selanikut, raporton noa.al duke cituar burime zyrtare të policisë lokale.

Tre të plagosurit janë emigrantë shqiptarë, dy janë 24-vjeçarë dhe i treti dy vjet më i madh.

Ata u transportuan në spitalin “Goergios Genimatas” të Selanikut ku aktualisht gjendja e tyre paraqitet jashtë rrezikut për jetën. Që të tre kanë plagë nga armë zjarri dhe një prej tyre edhe me thikë.

Policia tha se ka shoqëruar dhjetë persona, të dyshuar si të përfshirë në përleshjen e përgjakshme. Ajo dyshon se incidenti ndodhi i nxitur nga mosmarrëveshje për trafik lëndësh narkotike.

Sheshi “Rotonda” në Selanik kohët e fundit është bërë vatër e trafikut të drogave të ndryshme. /a.b/noa.al/