Transmetuar më 12-11-2016, 00:30

Në veri të Mitrovicës, në njërën nga rrugët me të frekuentuara, janë vendosur tri stenda afishimi me foton e presidentit të sapozgjedhur të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump.

Poshtë fotoce, në gjuhën serbe shkruan: “Serbët e përkrahën”, kurse në gjuhën angleze: “Serbët qëndruan me të gjatë gjithë kohës”.

Në anën tjetër të afisheve, afër fotografisë së madhe të Trump-it, janë vendosur fotografitë e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, me pjesë të nxjerra nga deklaratat e tyre, ku thuhet: “Presim fitoren e Clinton-it, shqiptarët votojnë për të”, si dhe “Trump si president paraqet kërcënim për Shqipërinë dhe marrëdhëniet shqiptaro-amerikane”.

Po ashtu, edhe ne pjesën tjetër të qytetit, në afërsi të përmendores së Car Llazarit, është vendosur një fotografi e madhe e Donald Trump.