Transmetuar më 07-11-2016, 15:38

Prishtinë, 7 nëntor 2016, NOA.al – Dy persona janë arrestuar nga policia e Kosovës gjatë një operacioni të ndërmarrë në Kaçanik, pasi dyshohet se kanë lidhje me grupin islamik ISIS.

Në kuadër të operacionit policor të zhvilluar në Kaçanik, Viti e Mitrovicë, që është vazhdimësi e një aksioni të ngjashëm, në të cilin u arrestuan më herët 6 persona të tjerë, ditën e djeshme është bërë i mundur edhe prangosja e shtetasve me inicialet L.G., dhe A.M.

Të njëjtat burime bëjnë me dije se këta persona dyshohet se po organizonin sulme terroriste në vend.

Njoftimi i policisë:

Policia e Kosovës në vazhdën e angazhimeve dhe aktiviteteve policore me datën 6.11.2016, përmes Drejtorisë Kundër Terrorizmit dhe njësiteve tjera të specializuara, si vazhdimësi të operacionit të mëhershëm të realizuar me 4.11.2016, ka ndërmarrë edhe një operacion policor në tri lokacione të ndryshme të Kosovës, duke përfshirë atë në Kaçanik, Viti dhe Mitrovicë, për zbatimin e urdhër kontrolleve të lëshuara nga gjykata kompetente.

Njësitet policore gjatë realizimit të këtij operacioni në cilësinë e të dyshuarve kanë shoqëruar në stacionin e Policisë dy (2) persona (L. G. dhe A. M), nën dyshimin e bazuar se të njëjtit kanë vepruar në kundërshtim me Kodin Penal (Kapitulli XIV), përkatësisht Veprat Penale Kundër Rendit Kushtetues dhe Sigurisë së Republikës së Kosovës.

Me urdhër të prokurorit të rastit nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ndaj të dyshuarve është shqiptuar masa e ndalimit policor prej 48 orëve. Policia e Kosovës në bashkëpunim të plotë edhe me institucionet e tjera relevante brenda dhe jashtë Kosovës, mbetet e përkushtuar që në vazhdimësi të ndërmarrë veprimet e saja ligjore për ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike në vend./b.l/noa.al/