Transmetuar më 03-11-2016, 10:58

Kur nga jeta largohet një aktor, zakonisht dëgjojmë të thuhet se ai është larguar fizikisht, por rolet në filma apo edhe në teatër e përjetësojnë atë sa herë që ato shfaqen. Kështu, edhe pse ai është larguar nga jeta 16 vite më parë, rolet e tij në filma e kanë risjellë Petrit Llanajn më pranë familjarëve dhe qytetarëve. 3 nëntor 2000- 3 nëntor 2016,

mbushen plot 16 vjet që Petrit Llanaj, nuk jeton më. Regjisori dhe aktori i njohur shqiptar, autori i dhjetëra filmave, i cili mund të konsiderohet si gjeniu i filmit artistik shqiptar, prej 16 vitesh nuk jeton më.

Ai lindi në Vlorë, në një familje me tradita patriotike, morale e shoqërore. Por viti i errët për gjithë shqiptarët, ai i 1997 do të ishte i tillë edhe për familjen Llanaj. Aktori dhe regjisori Llanaj në këtë vit mori një goditje në kokë, ndërsa ndërroi jetë në vitin 2000.

Llanaj famën e arriti me filmat e tij të suksesshëm si; “Njësiti gueril”, ku interpretoi rolin kryesor, “Dëshmorët e monumenteve”, “Fijet që priten”, “Ngadhënjim mbi vdekjen”, “Ndërgjegjja” e shumë filma të tjerë të njohur. Për herë të parë ka dalë në skenë me dramën “Zbutësi i kryeneçes”, me të cilin ka mbrojtur diplomën shkëlqyeshëm, ku kishte edhe rolin kryesor.

Gjatë karrierës së tij ka bashkëpunuar me aktorë të mëdhenj shqiptar si; Timo Flloko, Demir Hyskja, Vera Grabocka, Sandër Prosi, etj. Karrierën e ka zhvilluar, jo vetëm në Shqipëri, por edhe jashtë, sidomos në Itali e Amerikë, ku ka punuar me regjisorë të huaj. Llanaj gjithmonë do të kujtohet nga miqtë e tij, jo vetëm si një regjisor e aktor i suksesshëm, por edhe si njeriu me botë të madhe, që nuk reshti asnjëherë së ndihmuari njerëzit në nevojë. Në filmat e tij gjithmonë është paraqitur energjik, i fuqishëm, i gjallë, si dhe ka ditur gjithmonë ti transmetojë emocion për publikun. Ai njihej gjithashtu për forcën interpretative, po ashtu edhe për atë krijuese. Firmën e Petrit Llanajt, si aktor dhe si regjisor e mbajnë shumë filma të tjerë artistikë. Ai kreu studimet universitare në Akademinë e Arteve, për Dramaturgji. Nga viti ‘80 e deri sa doli në pension ka punuar si regjisor në Kinostudio. Ai është regjisori i dokumentarit “Troku” si dhe gjithashtu edhe asistent-regjisor te filmi “Mysafiri”.