Transmetuar më 03-11-2016, 09:08

Bukuritë karakteristike dhe vlerat historiko- kulturore të fshatit Bënjë në Përmet, bënë që me vendim të qeverisë gjatë mbledhjes së Këshillit të Ministrave të së mërkurës, të shpallet qendër e mbrojtur historike.

Me këtë vendim përcaktohen kështu detyrimet dhe mënyrat për mbrojtjen, konservimin e integruar dhe administrimin e vlerave historiko-kulturore të këtij fshati,

Qendra historike e fshatit Bënjë është pjesa me vlera urbanistiko-arkitektonike  e fshatit dhe hapësira që mbart vlera të rëndësishme historike, që dokumenton rrugën e zhvillimit historik të fshatit drejt krijimit të një qendre të banuar dhe tiparet urbanistiko-arkitekturore që u formuan gjatë historisë së tij.

Pjesa dërrmuese e fshatit ruan rrjetin rrugor karakteristik dhe ndërtime të vjetra, me vlera arkitektonike e konstruktive.

Këto ndërtime janë të lidhura me mjedisin tradicional, i cili është pjesë e Qendrës Historike. Brenda kësaj qendre përfshihet edhe kisha e Shën Mërisë, objekt monument kulture i kategorisë së parë.

Hapësira urbane me vlera historiko-kulturore e fshatit Bënjë formohet nga Qendra Historike, e cila përfshin zonën e banimit të fshatit dhe zona e mbrojtur, e cila pozicionohet rreth Qendrës Historike dhe përfshin pjesën më të madhe në jug-lindje të Qendrës Historike.

Vendimi i Qeverisë

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikave 3 e 4, të nenit 29,    të ligjit nr.9048, datë 7.4.2003, “Për trashëgiminë kulturore”, të ndryshuar, me propozimin e Ministrit të Kulturës , Këshilli i Ministrave

Vendosi

-Shpalljen e Qendrës Historike të fshatit Bënjë, sipas hartës dhe koordinatave gjeografike, bashkëlidhur këtij vendimi.

-Miratimin e  rregullores “Për administrimin e Qendrës Historike të fshatit Bënjë dhe zonës së mbrojtur përreth”, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.