Transmetuar më 27-10-2016, 22:12

Shqiptarët e kanë fituar luftën dhe Serbia e ka humbur atë. Kështu duhet edhe të sillemi, ka thënë Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në Klan Kosova në një debat me analistët.

“Kosova është sot shtet, Serbia ka humbur dhe është e detyruar të bashkëjetojë me këtë fakt monumental të paimagjinueshëm për ta deri dje dhe sot të papranueshëm, por të pashmangshëm që e ka në kufi”, ka pohuar Rama.

“Aty ku kishte zonën që mendonte se jetonin ca skllevër të vet, tani është një shtet”.

Në videon e parë më poshtë, deklarata e plotë e Ramës për këtë çështje.

Në emisionin e regjistruar, z.Rama foli dhe për faktin pse takohet shpesh me Vuçiç.

Kryeministri, jo rrallë është kritikuar për takimet e shpeshta të tij me kryeministrin serb, Aleksandër Vuçiç.

Ai ka shpjeguar se përse Shqipëria, dhe shqiptarët në përgjithësi, i kanë të rëndësishme dhe të domosdoshme takimet e ndërsjella me liderët e rajonit, përfshirë atë serb. “Arsyeja pse ne komunikojmë intensivisht me Serbinë dhe në kontekstin e procesit të Berlini, brendapërbrenda rajonit, mes rajonit dhe Bashkimit Europian, është shumë e çarte. Ne e bëjmë këtë, sepse kemi interes ta bëjmë këtë”, ka thënë Rama.

“Është interesi ynë, që na imponon që të jemi të hapur maksimalisht, dialogues dhe sigurisht të prerë aty ku qëndrimet tona janë të prera”. “Ne jemi një treg jashtëzakonisht i vogël, prandaj kemi nevojë ta transformojmë rajonin në një treg të përbashkët, për të pasur ekonomi, zhvillim dhe paqe të qëndrueshme dhe mbi të gjitha për t’iu dhënë atyre që vinë pas nesh mundësinë që të jetojnë në një realitet më të mirë”.