Transmetuar më 27-10-2016, 01:06

Është ndarë nga jeta në moshën 88-vjeçare Artistja e Popullit, aktorja e Estradës së Tiranës, Melpomeni Çobani.

Ajo ishte një ndër themelueset e para të Estradës së Tiranës në vitin 1952.

Melpomeni Çobani shënon gjatë karrierës së saj artistike një mori rolesh në teatër, estradë dhe film, mbi 2500 role sidomos në teatër.

Veprimtarinë artistike ajo e vazhdoi më tej me ngritjen e Teatrit të Kukullave dhe pjesëmarrjen në emisionin e humorit “Otra gazmore” ne Radio Tirana.

Për meritat e saj artistike është vlerësuar me shumë çmime e tituj.

Në vitin 1961 u dekorua me titullin “Artiste e Merituar”.

Në vitin 1976 Melpomeni Çobani u vlerësua me titullin më të lartë “Artiste e Popullit”.

Një ndër rolet që u bë shumë i njohur për publikun dhe u përdor si batutë për shumë vite ishte ai i fatorinës së autobusit urban në filmin “Kapedani” ku Melpomeni në rol replikon ashpër me “Xha Sulon” e interpretuar nga Albert Vërria.

Nekrologji

Melpomeni Çobani, lindi më 6 qershor të vitit 1928 dhe vdiq më 26 Tetor të vitit 2016 në Tiranë. Ishte aktore e skenës dhe ekranit, Artiste e Popullit.

Në vitit 1947-1949 kreu shkollën për aktore nën kujdesin e Teatrit Popullor. Ajo interpretoi role të suksesshme si në dramë ashtu edhe komedi. Përmendim: “ Rrënjët e thella”, “Fejesa”, “Vajza nga fshati”, “Prefekti”. Për gati 10 vjet shkëputet nga aktrimi dhe i kushtohet tërësisht sportit, ku arriti sukses duke u cilësuar rekordmene dhe kampione në pingpong, në atletikë, në volejboll, etj.

Në vitin 1955 ajo lë sportin dhe kalon përsëri në Estradën e Tiranës, ku talenti i saj duket veçanërisht në interpretimin e monologëve dhe të parodive. Ka interpretuar në më se 1500 role për gati 40 vjet punë në Estradë. Ka interpretuar edhe në kinematografi role të spikatura si në filmin “Kapedani”, “Tela për violinë”, etj.

Në vitin 1961, mori titullin Artiste e Merituar, ndërsa në vitin 1975, Artiste e Popullit. Rrolin e fundit e pati në Teatrin Kombëtar me pjesën "Kopjen e Parë".