Transmetuar më 26-10-2016, 12:33

Tiranë, 26 tetor 2016, NOA.al- Ndahet nga jeta në moshën 86- vjeçare akademiku Alfred Uçi. Akademiku u nda nga jeta mëngjesin e sotëm si pasojë e komplikimeve shëndetësore. Ai njihej si një nga pionierët e mendimit filozofiko-estetik shqiptar, profesor prej disa dekadash dhe me shumë merita shkencore, atdhetare e njerëzore.

Ceremonia e homazheve për nder të akademikut të njohur Alfred Uçi do të mbahet nesër, më 27 tetor, ora 11.00 në hollin e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.

Disa momente kulmore në jetën e akademikut Alfred Uçi:

Alfred Uçi është lindur më 15.12.1930 në Korçë. Mësimet e mesme i mori në gjimnazet e Korçës, Tiranës dhe Shkodrës. Studimet e larta i kreu në Fakultetin e Filozofisë të Universitetit Llomonosov të Moskës gjatë viteve 1949-1954.

-1954 emërohet pedagog i filozofisë në Institutin e Lartë Ekonomik të Tiranës.

-1955 punoi gazetar te Zëri i Popullit, por, pas Konferencës së Partisë të Tiranës, 1956, u transferua.

-1957, që me Krijimin e Universitetit Shtetëror për shumë vite ka qenë pedagog i filozofisë dhe i estetikës në fakultete të ndryshme dhe në Akademinë e Arteve.

-1970 iu dha titulli Profesor. Për shumë vite ka qenë shef i katedrës së filozofisë të USHT.

-1975 u largua me qarkullim nga Universiteti dhe punoi si lektor në kursin tremujor të "kuadrove" të fshatrave të Tiranës.

-1978-1987 ka qenë Drejtor i Institutit të Kulturës Popullore pranë Akademisë së Shkencave.

-1987 emërohet kryetar i Komitetit të Kulturës dhe Arteve (Ministër i Kulturës), nga ku u largua në fund të vitit 1990, pasi dha dorëheqjen.

-1993 e nxjerrin në pension. Deri në fund të jetës së vet, në moshën 85-vjeçare vijoi të punojë pranë Akademisë së Shkencave. Ishte një ndër anëtarët më aktivë të saj.

Ka marrë pjesë në kongrese, konferenca e simpoziume ndërkombëtare shkencore: Ankara, Athinë, Beograd, Prishtinë, Sofje, Vjenë, Itali, Suedi, Francë, etj., ku ka referuar për probleme të kulturës dhe estetikës. Ka shkruar shumë artikuj, referate e kumtesa me tematikë nga fushat e filozofisë, estetikës, folkloristikës, etnografisë, sociologjisë e kritikës letrare.