Transmetuar më 25-10-2016, 10:09

Me rastin e 15 vjetorit të operimit në tregun shqiptar, Vodafone Albania organizon “Tech Reja”, të parin forum mbi revolucionin e teknologjisë dhe komunikimit përmes saj.

Ky forum dy ditor tek instalacioni “Reja”, ka mbledhur duke nisur nga dje, figura të njohura ndërkombëtare e shqiptare të fushës së telekomunikacionit, teknologjisë dhe medias.

Gjatë diskutimeve dhe refleksioneve mbi të shkuarën, të tashmen dhe të ardhmen e teknologjisë së komunikimit, si dhe ndikimin që Vodafone Albania ka pasur në këtë drejtim, “Tech Reja” sjell në vëmendje fakte e shifra shumë interesante mbi inovacionin dhe teknologjinë në këto 15 vjet.

Si pjesë e “Tech Reja” vjen edhe një ekspozitë mbi evoluimin e telefonisë celulare nga telefoni bazik që mund të kryente vetëm telefonata, deri tek aparati inteligjent, si mjeti më i domosdoshëm i jetës së përditshme.

Forumi u hap dje pasdite me fjalën e Drejtorit të Përgjithshëm të Vodafone Albania, Dietlof Mare, i cili prezantoi tek të pranishmit eksperiencën, rolin kyç që kompania ka luajtur në zhvillimin e industrisë së komunikimeve elektronike në vend si dhe vizionin për të ardhmen që Vodafone Albania sjell për klientët.

E ftuar speciale në ditën e parë të forumit ishte izraelitja Toot Shani, e njohur si mentore dhe sipërmarrëse që ka nxitur dhe përkrahur të rinjtë në Izrael për të ndjekur pasionet dhe realizuar ëndrrat e tyre.

Zhvillimi me hapa të shpejtë i teknologjisë ka rritur ndjeshëm fuqinë e komunikimit dhe të lajmit përmes mediave dixhitale. Për të folur rreth këtij revolucioni, bazuar dhe në eksperiencat e tyre personale, të ftuar në këtë forum ishin gazetarët Anila Basha dhe Blendi Salaj.

“Tech Reja” vijon edhe sot, me të tjera aktivitete e diskutime, që do të kenë në fokus zhvillimin e rrjeteve sociale. Do të publikohet raporti i parë i realizuar enkas për “Tech Reja” nga PROTIK në bashkëpunim me Vodafone Albania. Më tej, “Tech Reja” do të presë fansat e teknologjisë në “Vodafone Fans Party” , për të festuar së bashku 15 vite teknologji dhe inovacion.

Vodafone Albania ka qenë dhe do të jetë si gjithmonë forca lëvizëse për zhvillimin e industrisë së komunikimeve elektronike në Shqipëri. “Tech Reja” është një tjetër shembull i angazhimit të vazhdueshëm të Vodafone Albania për t’iu siguruar klientëve të saj zërin e fundit të teknologjisë. Ndaj ky forum pritet të jetë pikënisja e një sërë aktivitetesh të ngjashme për ta kthyer “Tech Reja” në një traditë të përvitshme.