Transmetuar më 19-10-2016, 20:18

Kryetari i Kuvendit Ilir Meta thotë se për koalicionin në zgjedhjet e ardhshme parlamentare do të vendosin forumet e partisë që ai drejton, Lëvizja Socialiste për Integrim. Në këtë mënyrë, z.Meta paralajmëron se e ardhmja e koalicionit nuk është në ujëra dhe aq të qeta dhe fati i saj nuk është i ndarë për një kohë të gjatë, por i vlefshëm vetëm për ktëtë mandat qeverisës deri në ridiskutimin e tij në strukturat partiake të LSI.

Në një intervistë për radion e Kinës CRI, kryeparlamentari tha se ajo që është më e rëndësishme është stabiliteti i vendit.

Meta tha se LSI ka potencial për të kontribuuar akoma më mirë sesa deri tani për mirëqeverisjen e vendit.

I pyetur për ligjin e importit të mbetjeve pas kthimit nga Presidenti, Meta tha se duhen lexuar argumentet.

Intervista e Kryetarit të Kuvendit, z. Ilir Meta dhënë për Radion e Jashtme të Kinës (CRI):

Ju ndodheni për një vizitë zyrtare në Kinë. Si Kryetar i Kuvendit, së pari do të doja t’ju pyes si i mendoni shkëmbimet parlamentare me Kinën dhe si mund të thellohen ato më tej?

Është kënaqësi që jam si Kryetar i Kuvendit të Shqipërisë për këtë vizitë në Kinë në krye të një delegacioni gjithëpërfshirës të parlamentit tonë, dhe natyrisht që kjo vizitë synon për t’i dhënë një dinamikë të re gjithë shkëmbimeve ndërparlamentare dhe mes institucioneve të ndryshme të vendit tonë dhe të Kinës.

Dihet që në Shqipëri ekziston një konsensus i gjerë për të zhvilluar me një dinamikë të re marrëdhëniet e gjithanshme me Kinën. Grupi i miqësisë me Kinën është një ndër grupet më të mëdhenj dhe më aktivë në Kuvendin e Shqipërisë dhe kjo e ka domethënien e vet. Dhe në këtë drejtim besoj se jemi në një moment mjaft të qëndrueshëm, mjaft të shëndetshëm të shkëmbimeve jo vetëm ndërparlamentare, por të gjithanshme midis Shqipërisë dhe Kinës. Dhe besojmë në një marrëdhënie të shkëlqyer afatgjatë midis dy vendeve në interes reciprok edhe të popujve tanë.

Së shpejti në Riga do të mbahet Samiti i 5-të i udhëheqësve midis vendeve të Europës Qendrore e Lindore dhe Kinës në të ashtuquajturin “Bashkëpunim 16+1”. Shqipëria është pjesëmarrëse aktive. Si e gjykoni se vendi ynë duhet të koordinojë bashkëpunimin me Kinën, bashkëpunimin ekonomik dhe tregtar dhe nga ana tjetër të rakordojë axhendën e integrimit evropian?

Bashkëpunimi midis Shqipërisë dhe Kinës po ecën me rezultate të prekshme. Kina po bëhet një partner gjithnjë e më i rëndësishëm tregtar dhe ekonomik i vendit tonë. Njëkohësisht investimet kineze janë në rritje në Shqipëri, në fusha nga më të ndryshmet dhe nga më të rëndësishmet, që nga Aeroporti i Tiranës, në fushën e energjisë, të naftës, të industrisë të bakrit, telekomunikacionit e kështu me radhë. Dhe natyrisht edhe në kuadër të nismës 16+1, Shqipëria ka qenë dhe është mjaft aktive dhe synon të japë edhe ajo kontributin e saj nga i cili edhe të përfitojë për zhvillimin e projekteve me interes rajonal.

Një ndër këto projekte më të diskutuara ka qenë Rruga e Arbrit, e cila ndihmon edhe për një lidhje më të mirë të Shqipërisë me Maqedoninë, por ndërkohë janë diskutuar edhe projekte te tjera në fushë e infrastrukturës, të porteve, të hekurudhave dhe kështu me radhë. Ne shpresojmë se nga kjo iniciativë do të ketë një interes gjithnjë e më konkret, jo vetëm për Shqipërinë, por për vendet e rajonit tonë.

Me këtë rast do të theksoja dhe rëndësinë e vendosjes ndoshta të Sekretariatit për Koordinimin e Arsimit të kësaj nisme në Shqipëri, pasi në këtë mënyrë do të plotësohej edhe harta gjeografike le të themi e përfaqësimit të kësaj nisme të aspekteve të ndryshme në të gjitha vendet e rajonit tonë.

Ka përpjekje në fushën e legjislacionit për t’i mbrojtur, për t’i nxitur, për të thithur më shumë investime ?

Ne kemi disa marrëveshje të veçanta, atë të mbrojtjes së ndërsjelltë të investimeve, atë të eliminimit të taksimit të dyfishtë, por edhe lehtësira të tjera janë bërë dhe do të bëhen më tej sa i takon procedurave të marrjes së vizave. Absolutisht, që në Shqipëri ka një klimë mjaft miqësore dhe mikpritëse ndaj investimeve kineze, gjë që e tregon vetë rritja e tyre.

Ka problem integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe bashkëpunimi nga ana tjetër me Kinën?

Kina ka vendin e saj të veçantë në historinë e marrëdhënieve të Shqipërisë dhe do të ketë vendin e saj në të ardhmen. Kina nuk ndërhyn në vendimet politike që ndërmarrin vende të caktuara përfshirë edhe Shqipërinë. Në këtë drejtim ne e shohim bashkëpunimin me Kinën si komplementar dhe jo si përjashtues me procesin e integrimit evropian ku Shqipëria është e përfshirë, pasi dihet që Shqipëria është në Evropë. Ashtu sikurse dihet që edhe vende të tjera mjaft të rëndësishme të BE-së kanë një partneritet shumë të fuqishëm aktiv me Kinën.

Le t’i kthehemi situatës në Shqipëri. Ju keni shumë aktiv kohët e fundit në media me disa intervista dhe çështja kryesore është a do të vazhdohet koalicioni i LSI-së me PS-në tani që ky koalicion është drejt fundit të mandatit të parë. Ju si e shikoni këtë gjë?

Për mua është e rëndësishme që ky koalicion të përmbushë me përgjegjshmëri pritshmëritë e qytetarëve shqiptarë deri në fund të këtij mandati dhe jemi aktualisht në momente të rëndësishme të ecurisë së reformës në drejtësi, të realizimit të reformës zgjedhore. Të vendimeve të rëndësishme që BE-ja do të duhet të marrë për Shqipërinë.

Përsa i takon çështjes së koalicioneve në të ardhmen natyrisht që ato do të vendosen nga forumet respektive të forcave politike. Për ne është e rëndësishme të shtojmë kontributin për stabilitetin e vendit, për reformimin e tij dhe në këtë drejtim dihet që kontributi i LSI-së do të jetë në rritje.

Ka disa zëra nga baza për ta shtuar le të themi rolin e LSI-së në qeverisje, si i komentoni këto zëra?

Mendoj që LSI-ja ka potencial për të kontribuar akoma më mirë se sa deri tani për mirëqeverisjen e vendit.

Çështja e fundit është ligji për importin e mbetjeve. Si e shikon LSI-ja tani pas kthimit të ligjit për rishqyrtim nga Presidenti i Republikës?

Do të na duhet të lexojmë me vëmendje argumentet e Presidentit të Republikës dhe njëkohësisht duhet të kemi në konsideratë se ky ligj që ka shkaktuar një ndjeshmëri të gjerë për shkak të çështjes që ka sensibilizuar prej kohësh opinion publik dhe shoqërinë civile, duhet të na ndihmojë për ta forcuar dialogun më tej me shoqërinë civile në interes të publikut të gjerë.