Transmetuar më 19-10-2016, 12:36

Një humnerë e thellë 404 metra, e zbuluar në Republikën Çeke, i ka vjedhur fronin luginës karstike të Pozzo del Merro në Itali me 392 metrat e tij, duke u vlerësuar si humnera më e thellë në botën natyrale nënujore në botë.

Shpella nënujore gjendet në territorin e Moravia, në zonën perëndimore të vendit, mes lokalitet termal të Teplice nad Becvou dhe komunës së Hranice. Rekordi është konfirmuar nga grupi ceko-polak i eksploratorëve, që ka marrë pjesë në këtë zbulim.

Zhytësi polak Krzysztof Starnawski udhëhoqi grupin në këtë shpellë mahnitëse nënujore së bashku me David Canin, i cili i ndihmoi atij si zhytës sigurie. Gjatë kësaj ekspedite, Starnawski është zhytur në një thellësi prej 265 metrash para se të lëshonte ROV-in (një pajisje zhytëse që zbulon thellësitë më të mëdha) për të vazhduar më tej brenda kësaj shpelle nënujore.

Starnawski, i cili ka bërë shumë zhytje në Humnerën Hranice gjatë 20 vjetëve të fundit, vitin e kaluar ka gjetur një hapësirë të ngushtë të cilën ai e ka çarë më shumë për të vazhduar më tej eksplorimin.

“ROV-i mund të shkojë përtej kufijve të një zhytësi dhe po ashtu mund të depërtojë në hapësirat e ndryshme”, ka thënë Starnawski për National Geographic. “Grupi ka konfirmuar se matjet e ROV-it janë të sakta”, ka shtuar Starnawski.

Ata besojnë se kjo shpellë mund të ketë thellësi edhe më të madhe. “Ajo pajisje shkoi aq thellë sa e kishte litarin, por fundi i shpellës nuk ishte askund”, ka thënë kjo shoqëri në një deklaratë, sipas “The Guardian”. Shpella në fjalë është hulumtuar për herë të parë më 1999.