Transmetuar më 13-10-2016, 19:00

Admir Mehmedi nuk e harron të kaluarën e tij. Sulmuesi shqiptaro-maqedonas që luan me përfaqësuesen zvicerane ka treguar se ka edhe një zemër të “artë”.

Në fakt, 25-vjeçari ka vendosur t’i dhurojë një shtëpi një familjeje të varfër nga Padalishti, qyteza ku babai i tij ka jetuar deri në vitin 1983. Ky akt humanitar është publikuar nga e përditshmja zvicerane “Blick”.

Mehmedi nuk ka qëndruar indiferent para kushteve në të cilat jetonte familja e përbërë nga 6 persona. “Kam ndier një të therur në zemër, bora binte brenda shtëpisë”, ka deklaruar Mehmedi, i cili është njohur me familjen Mustavi, e detyruar të jetojë pa kuzhinë dhe banjë, me vetëm dy krevate në dispozicion. Kushte me të vërtetë çnjerëzore, që kanë prekur futbollistin, i cili ka vendosur të ndërhyjë personalisht.

Lojtari i kombëtares zvicerane ka financuar rikonstruksionin e shtëpisë për një shifër që nuk është zbuluar. Ndërsa i ati ka mbikëqyrur punimet.

“E dij se të ndërtosh një shtëpi nuk kushton aspak lirë. Por unë jam me fat për atë që kam dhe dua që edhe të tjerët të jenë mirë”, – tha Mehmedi.

Një gjest i mrekullueshëm nga një lojtar që është një fitues brenda dhe jashtë fushës.