Transmetuar më 11-10-2016, 23:03

Bashkëkryetari i Komisionit për Reformën Zgjedhore, Taulant Balla, deputet i Partisë Socialiste, thotë se procesi i votimit elektronik dhe numërimit elektronik të votave është një mision i pamundur. Balla shprehet me siguri se në zgjedhjet e ardhshme nuk do të ketë një proces të tillë. Mes të tjerash, në intervistën e mëposhtme që e gjeni të zbardhur të plotë, z.Balla pohon edhe faktin tradicional në vend, që pala humbëse gjithsesi do ta kontestojë numërimin elektronik duke kërkuar numërim manual.

PD ka propozuar numërimin elektronik. Sa mendoni se është e realizueshme? Duke patur parasysh dhe periudhën kohore që na ndan nga zgjedhjet…

Qoftë çështja e identifikimit biometrik të zgjedhësve, qoftë çështja e numërimit elektronik, janë çështje që nuk shtrohen në tryezë tani; janë çështje që janë hedhur për diskutim nga ana jonë, e PS, që në 2012. Dhe në bazën e këtij propozimi që ka ardhur nga ne, u harxhuan para nga buxheti i shtetit, pra nga taksapaguesit shqiptarë për një projekt pilot në Fier, kjo për pjesën e numërimit elektronik. Ky proçes dështoi! Ato para shkuan dëm dhe është shumë e rëndësishme të kuptohet që, edhe në vende të tjera, ky proçes nuk ka shkuar ashtu siç duhet. Është e vërtetë që elektronika është mjeti më i mirë për të shmangur manipulimet dhe për të garantuar korrektësi, por kini parasysh, që nëse do të zhvillohej një i tillë, ne, së pari, duhet të kalojmë një provë, prandaj ne insistojmë në domosdoshmërinë që kjo çështje duhet implementuar në kohë. Unë bëj pjesë në ata që besojnë se koha e mbetur deri në zgjedhje, është e pamundur për të garantuar një investim kaq të madh, që do kërkonte një teknologji kaq të përparuar për sa i përket identifikimit biometrik, sepse do të duhej që në 5000 qendra votimi në Shqipëri, nga Konispoli në Vermosh, ne të kishim të instaluar një sistem IT të avancuar në çështjen e identifikimit biometrik. Pastaj në tetëdhjetë e më shumë qendrat e numërimit, të kishte të instaluara përsëri pajisjet elektronike për numërimin. Madje dhe fleta e votimit, duhet të keni parasysh, do të kishte një kosto shumë më të madhe sesa kostoja aktuale, sepse do të duhet që boja me të cilën votuesi do të shënojë mbi fletë se për kë do të votojë, do të duhet të jetë e lexueshme mbi një letër, që mos të sjellë probleme të karakterit teknik, që mund të sillte dhe kontestim nga njëra palë. Por një gjë ta keni të sigurt, në Shqipëri, edhe pasi të numërohen votat elektronike nga pala humbëse, do të kërkohej numërim manual i fletëve të votimit. Kështu që në fund, edhe pas këtyre harxhimeve, do të shkojmë përsëri tek numëruesit.

Për të ulur koston do të vazhdoni me numërimin manual?

Jo! Së pari, po thoja që ky propozim ka ardhur nga PS që prej shumë kohësh. Ne jemi shumë të shqetësuar, sepse dështimi i projektit pilot në Fier në 2013, na bën që të jemi të vetëdijshëm që kurrsesi nuk mund të hyjmë në një projekt kombëtar për këtë çështje. Sepse do të ishte fatal dështimi i zgjedhjeve kombëtare për shkak të infrastrukturës biometrike për sa i përket identifikimit, apo elektronike për sa i përket numërimit. Ky proces, pa u testuar dhe minimalisht me një projekt pilot, nuk mund të shtrihet në një proces kombëtar të organizuar brenda një dite të vetme, në 5000 qendra votimi dhe pastaj në 80 a më shumë qendra numërimi.

Zoti Balla, ju po thoni që nuk është kompetencë e komisionit që të ndërhyjë dhe të bëjë ndryshime më të thella në Kodin Zgjedhor, si për shembull për sistemin zgjedhor, por ky sistem është një sistem për të cilin edhe z. Rama ka kërkuar falje që u bë kështu në 2008. A nuk mund t’i propozojë komisioni forcave një ndryshim, edhe pse koha është shumë e shkurtër?

Ju vetë e bëtë pyetjen dhe po vetë dhatë përgjigjen: që koha është shumë e shkurtër. Unë nuk e përjashtova. Ajo që thashë unë është fakti që ky komision ka një mandat të përcaktuar nga Kuvendi i Shqipërisë, për të vlerësuar të gjitha rekomandimet e bëra nga OSBE ODIHR në zgjedhjet e përgjithshme të 2013 dhe zgjedhjet lokale të 2015, për t’i kthyer në amendamente në mënyrë që të rregullohet pjesa e infrastrukturës. Për sa i përket çështjes së sistemit, unë besoj që ky është një vendim dhe një vendimmarrje që e tejkalon mandatin e komisionit, por që sigurisht për sa kohë që janë çështje që mund të rregullohen në Kodin zgjedhor, kjo është një çështje për tu diskutuar në një nivel më të lartë politik.

Balla, meqë jemi te sistemi, ju me të drejtë thatë që kërkon kohë. Por nëse niveli i lartë politik, parlamenti, i jep komisionit të drejtën të rishikojë një propozim që ka ardhur gjithmonë për këtë pikë, për një korrigjim në nivel kombëtar, a është e mundur kjo që të aplikohet?

Duhet të keni parasysh që kjo, që thoni ju, kërkon ndryshim kushtetues, sepse është e përcaktuar në Kushtetutë që Shqipëria është e ndarë në një numër njësish administrative, ku për ne është qarku; dhe nëse do të kishte kooperim kombëtar, do të ishte e përcaktuar në Kushtetutë. Ky është vlerësimi im paraprak. Por, ajo që unë them përsëri është që me gjithë problematikat e deritanishme, për sa kohë që ne kemi zgjedhur sistemin proporcional rajonal me lista të mbyllura, ky është një sistem që ka funksionuar në 2 palë zgjedhje. Unë përsëri bëj pjesë në ata që mendojnë që sistemet zgjedhore nuk duhen ndryshuar në çdo palë zgjedhje. Megjithatë, përsëri mendoj që sistemet zgjedhore janë të ndryshme, dhe nëse duhet bërë një ndryshim i sistemit, kjo çështje duhet bërë në kohë dhe nuk është një çështje që mund të bëhet 8 muaj para zgjedhjeve. Për rregullime të vogla, sigurisht që jemi ende në kohë për t’i adresuar. Mirë do të ishte, e ritheksoj, që të gjitha çështjet dhe të gjitha amendamentet e Kodit Zgjedhor, e më pas kalimi i Kodit Zgjedhor në Kuvendin e Shqipërisë, të mbyllen brenda muajit dhjetor. Këtu, në fakt, kemi një debat me kolegun Bylykbashi, por unë mendoj që gjithmonë rekomandimet e Komisionit të Venecias duhen marrë parasysh. Dhe në këtë pikë Komisioni i Venecias ka folur qartë: “Kodi zgjedhor nuk mund të ndryshohet 6 muaj para zgjedhjeve”. Ne i kemi bërë dhe një muaj para, por kjo nuk ka ndikuar pozitivisht në procesin zgjedhor, sepse është shumë e rëndësishme që dhe qytetarët shqiptarë, të cilët tashmë e kanë kuptuar si funksionon ky sistem zgjedhor, të kenë kohën e nevojshme për të kuptuar se si ndahen votat, e kjo është një gjë që do të kërkojë kohë. Megjithatë, kjo nuk është çështja primare për momentin. Unë mendoj që çështje primare janë rregullimet ligjore që lidhen me rekomandimet. Nëse do të arrinim të mundësonim votën e emigrantëve, do të ishte një fitore e madhe për demokracinë në Shqipëri. Çështjet e tjera më pas janë çështje të vlerësimit, sikur e thashë, të një niveli më të lartë politik.

Një ndër prioritetet e PS për ndryshim në Kodin Zgjedhor është edhe votimi i emigrantëve. Me kapacitetet që ka shteti shqiptar brenda por edhe jashtë nëpër konsullata dhe ambasada, a është e mundur që të votohet në 2017?

Ka disa ide dhe çdo deputet apo çdo shoqatë e emigrant është i mirëpritur që të kontribuojë me ide. Kjo nuk është një fushë që po eksplorohet nga ana jonë, pra që po vjen rishtazi. Është një model tashmë i konsoliduar në çdo vend europian. Unë nuk njoh vende europiane të cilat nuk mundësojnë votën për emigrantët. Ka vende si Maqedonia, Italia, si Franca të cilat kanë krijuar për zgjedhjet e përgjithshme një zonë zgjedhore për shtetasit e tyre që jetojnë jashtë territorit të republikës. E ky është një model shumë i mirë. E rëndësishme është që të gjithë ata shqiptarë të cilët për arsye nga më të ndryshmet kanë zgjedhur që të jenë rezidentë, pra të jetojnë për një kohë më të gjatë se tre muaj përtej vizës, të kenë mundësinë që të shprehen me votë për drejtimin që duan ata të marri vendi i tyre në katër vitet e ardhshëm. Sa kohë që pothuaj 1/3 ose më shumë shqiptarë nuk jetojnë në Shqipëri por i kanë të regjistruar emrat e tyre në listat e zgjedhësve shqiptarë dhe janë forca më e rëndësishme e zhvillimit ekonomik të vendit tonë në këto 25 vitet e fundit, remitancat e tyre kanë bërë të mundur që të ruajmë një nivel të qëndrueshëm të zhvillimit ekonomik në këto vite, i jemi borxhlinj për kontributin e tyre. Të mos ju japim as të drejtën të votojnë! Të gjithë ju bëjmë thirrje emigrantëve, kryesisht atyre që jetojnë në Greqi dhe Itali, që të vijnë të votojnë ditën e zgjedhjeve, ndërkohë që ka modele që e mundësojnë. Një ndër to është votimi në zyrat konsullore dhe këtë e aplikojnë shumë vende të rajonit. Për Greqinë p.sh, të votohet në Athinë, në Janinë, në Selanik. Për Italinë të votohet në Milano, në Romë, në Bari etj. Pra të votohet atje ku ka zyra konsullore, ky është një proces shumë i kontrolluar. Ka dhe modele të tjera, për të ngritur më shumë qendra votimi. Për shembull, Rumania në zgjedhjet e fundit kishte një debat shumë të madh për numrin e qendrave të votimit të vendosura në dispozicion pasi numri i shtetasve rumunë që jetonin në vende si Itali, Francë apo Britani dhe duke qenë se ambasada nuk mund të përballonte 10 mijë votues, propozimi ishte që të krijoheshin edhe atje qendra të votimit. Modeli tjetër është votimi me postë. Ndoshta pak më i kushtueshëm por është një model që aplikohet. Britania e Madhe është një ndër vendet që aplikon këtë model. E rëndësishme është që ky debat të zhvillohet dhe kjo është një çështje që vlen të merret parasysh edhe nga PD. Nuk mund të hidhet poshtë ky propozim nga ana jonë sa kohë që nëse do të flisnim për demokraci, është deformim i demokracisë që 1/3 e qytetarëve shqiptarë nuk marrin dot pjesë në zgjedhje.

Ju parashikoni që vota e tyre të ketë një peshë të veçantë apo të llogaritet aty ku ata aktualisht kanë qendrat e votimit?

Unë prandaj i përmenda, për të qenë komplementar edhe me propozime të bëra në momente të tjera kur ka ardhur koha për diskutimin e Kodit Zgjedhor. E rëndësishme është që ne të garantojmë votimin e tyre. Pastaj kjo ha diskutim. O do të krijohet një zonë zgjedhore për emigracionin dhe ata kanë përfaqësuesit e tyre direkt, ose vota e tyre shprehet sipas 12 qarqeve. Duhet të keni parasysh që për çdo shqiptar që jeton jashtë Shqipërisë ka një database që aktualisht është shumë i mirë. Por është database në Shqipëri. Për secilin prej tyre, mjafton të kontrollosh në sistem e të del dhe qendra e votimit ku voton. Ne na duhet qarku, nuk na duhet qendra e votimit. Për 12 qarqet kjo është e mundur. Nëse bëhet me postë kjo është edhe më e lehtë sepse në dokumentacionin që shoqëron fletën e votimit është e shënuar edhe qendra e votimit, Bashkia dhe Qarku ku bën pjesë. Kur flas për kapacitete e kam fjalën se në Shqipëri gjithmonë ka pasur debate përsa i përket komisionerëve dhe procesit të numërimit. Duhet të jemi shumë korrektë me termin, vota e shqiptarëve që jetojnë jashtë atdheut. Sepse ka emigrantë, ka studentë, trupi diplomatik që bëjnë pjesë në gjithë këtë grupim. Nëse bëhet nëpërmjet postës ky është një proces shumë i kontrollueshëm, nuk besoj që ka njeri që të mund të kontestojë. Nëse bëhet nëpërmjet shërbimit konsullor nuk besoj se është dikush që mendon që shërbimi ynë i jashtëm është i politizuar. Përkundrazi, është një shërbim i cili në pjesën e tij më të madhe është një shërbim karriere. Ligji për shërbimin e jashtëm gjithashtu është shumë i mirë që ka garantuar pikërisht karrierën. Por edhe aty mund të gjenden modalitete për vëzhgues nga palët pjesëmarrëse në zgjedhje. Edhe njëherë e theksoj, është shumë e rëndësishme që ne ti përfshijmë shqiptarët që jetojnë jashtë territorit të Shqipërisë në procesin zgjedhor. Kini parasysh që dhe atje s’do kesh një pjesëmarrje të madhe po të kesh parasysh edhe distancat që duhet të përshkohen. Qytetarët që jetojnë në ishujt e Greqisë do të ishte shumë e vështirë që të merrnin pjesë në procesin zgjedhor që do të zhvillohej në kryeqytetin Athinë. Por është një fillim i domosdoshëm. Por edhe kjo është një çështje që do diskutohet. Komisioni i Reformës Zgjedhore funksionon mbi bazën e konsensusit. Ne praktikisht kemi marrë një kundërshtim të hapur dhe të plotë nga ana e PD për votën e shqiptarëve që jetojnë jashtë territorit. Sipas tyre kjo është e parealizueshme. Por Partia Socialiste e Shqipërisë për vite me radhë ka kërkuar që shqiptarët që jetojnë jashtë territorit t’u jepet mundësia të votojnë edhe ne nuk heqim dorë nga kjo çështje. E realizojmë për zgjedhjet e 2017, apo 2019 kjo është një çështje tjetër. Ne duam që ta realizojmë tani dhe ne mendojmë që kapacitetet janë për ta realizuar.

Kur parashikohet një mbledhje një mbledhje e radhës e komisionit tuaj dhe a është pjesë e diskutimeve korrektimi i sistemit zgjedhor siç apeloi kryeparlamentari Meta? 

Shumë shpejt do ketë një mbledhje. Mandati i Komisionit të Reformës Zgjedhore është i përcaktuar shumë qartë edhe në objektin e punës së këtij komisioni. I cili është transpozimi i të gjithë rekomandimeve të OSBE –ODIHR për zgjedhjet e 2013 dhe 2017. Unë vlerësoj që është shumë e rëndësishme që të gjitha çështjet që lidhen me infrastrukturën e zgjedhjeve, përbërja e komisioneve zgjedhore, çështje të vëzhguesve janë çështje të domosdoshme që duhet të rregullohen.

Sikurse dua ta bëj me dije atë që thashë edhe në mbledhjen e komisionit të reformës, është shumë e rëndësishme që tashmë për të të gjitha këto rekomandime të fillojë puna për tu kthyer në amendamente.

Ne, Partia Socialiste në komunikim dhe me kolegun Vasili që përfaqëson LSI në Komisionin e Reformës, në komunikim dhe me zotin Idrizi që përfaqëson PDIU, duam që gjithë këtë proces hartimi dhe depozitimi të amendamenteve ta bëjmë sa më shpejt në komunikim me opozitën, me qëllim që fundviti të na gjejë me një Kod Zgjedhor të plotësuar. Pastaj, çështje të këtij karakteri janë çështje të një vendimmarrje politike, që tejkalon kompetencën e këtij komisioni.

Mund të zgjidhet Lefteri Luzi përsëri kryetare e KQZ? Ju jeni një përfaqësues i lartë i PS, por dhe kryetari i këtij Komisioni, a ka ndonjë qëndrim zyrtar PS-ja se kë do të mbështesë, cilin nga kandidatët për kryetar të KQZ-së?

Kodi Zgjedhor, në një nen të veçantë, ka të përcaktuar se si zgjidhet kryetari i KQZ-së. Aktualisht besoj, nuk i kam numëruar ditët, janë ezauruar ditët për sa i përket depozitimit të kandidaturave. Kandidatura është një iniciativë personale e kandidatëve, të cilët mund të jenë të ndryshëm. Janë disa kritere shumë të qarta, ku ndër to është depolitizimi i tyre: pra, që nuk mund të jenë prej 5 vitesh anëtarë të forumeve drejtuese të ndonjë partie politike. Më pas, kandidaturat shqyrtohen nga komisioni që mbulon çështjet ligjore në Parlamentin e Shqipërisë, ose siç quhet në gjuhën e përditshme parlamentare, Komisioni Ligjeve. Komisioni i Ligjeve duhet që të shprehet me votë për kandidaturat mbi bazën e listës. Nëse 2 kandidatura marrin më shumë se 2/3, atëherë ato shkojnë për votim direkt në seancën plenare të Parlamentit të Shqipërisë. Nëse ka më shumë se 2 kandidatura që kanë marrë 2/3, atëherë merren 2 kandidaturat që kanë marrë më shumë vota. Nëse nuk ka 2 kandidatura, atëherë merren 4 kandidaturat më të votuara. Për këto 4 kandidatura, grupi parlamentar i opozitës shprehet dhe zgjedh nga katër dy; dhe këto dy pastaj shkojnë për t’u votuar në seancë plenare. Nuk dua të parashikoj se si do të ecë ky proces, sepse do të ishte i paragjykuar më pas. Ligji është ligj, Kodi Zgjedhor është kod zgjedhor. Procedura në Komisionin e Ligjeve ende nuk ka filluar. Mendoj që Konferenca e Kryetarëve do të mblidhet dhe do të përcaktojë një agjendë për zhvillimin e këtij procesi, që edhe kjo çështje të mbyllet sa më shpejt. Duhet të kemi parasysh që një ndër institucionet më të rëndësishme, që merret me organizimin dhe mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, është KQZ. Sot KQZ është pa drejtues dhe si e tillë ndikon në kuptimin e punës së përditshme të këtij institucioni.

Majko dje foli me emra, dha mbështetjen për zonjën Luzi dhe Denar Biba. Ju s’keni një emër, zoti Balla? A e ka kryer mirë znj. Luzi detyrën si kryetare e KQZ?

Unë jam Nënkryetar i Grupit Parlamentar dhe flas pasi të jetë shprehur grupi parlamentar. Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste të Shqipërisë nuk e ka shqyrtuar çështjen në mbledhjen e vet të çdo të hëne.

Po nëse pyesim si preferencë personale, siç tha dhe zoti Majko…

Nuk shprehem për këtë çështje.

Po ligji i mbetur nga reforma në drejtësi, a ka shanse të votohet vetëm me vota të mazhorancës, për aq kohë sa opozita nuk po jep konsensus?

Të enjten që shkoi ne kishim një Po dhe pesë Jo. Të gjithë shqiptarët e kuptojnë që ti voton ligjin për ngritjen e Prokurorisë Speciale Antikorrupsion, por nuk voton ligjin për Organizimin e Pushtetit Gjyqësor, nuk voton ligjet e tjera që lidhen me pjesën e infrastrukturës së sistemit gjyqësor në Shqipëri. Kupton që ti tallesh, për sa kohë që nuk voton ngritjen e këtyre institucioneve. Ne e kemi thënë prej ditës së parë se procesin e implementimit dhe procesin e miratimit në Kuvend, kjo është më e rëndësishmja, të ligjeve që bëjnë pjesë në paketën e reformës në drejtësi, – se do të ketë dhe ligje të tjera më pas,- ta bëjmë bashkë me opozitën. Opozita të vetmen agjendë dhe strategji politike që ka është vetëm të vonojë. E konverguar kjo dhe me një institucion tjetër, që është Institucioni i Presidentit, sepse këtu nuk u debatua aq sa duhet. Ishte e pafalshme nga ana e Presidentit të Republikës që Kuvendi i Shqipërisë u mblodh në një seancë të jashtëzakonshme, jashtë sesionit, në 30 gusht dhe votoi me urgjencë në momentin më të parë që ishte e mundur, nga ardhja nga Komisioni i Posaçëm i Projektligjit për Vetingun dhe Presidenti i Republikës harxhoi 20 ditëshin që kishte në dispozicion, vetëm e vetëm për të vonuar hyrjen në fuqi të ligjit. Nëse Kuvendit të Shqipërisë, nga dita e përfundimit në komision deri në ditën e miratimit, iu deshën më pak se një javë për tu shprehur me votë, pro 89, dhe kundër aq sa s’morën pjesë, zotit President iu deshën 20 ditë për ta kaluar me heshtjen e vet dhe për ta vonuar. Gjithë kjo strategji është një strategji e pakuptimtë, që dëmton pikërisht implementimin. Qytetarët shqiptarë, në një shumicë plebishitare prej 90%, kanë mbështetur reformën në drejtësi; mbështesin implementimin sa më shpejt të reformës në drejtësi; mirëpresin rezultatet e para konkrete, e kur rezultatet e para konkrete burojnë nga procesi i vetingut, dhe ju do të shikoni shumë shpejt. Unë jam shpresëplotë që gjyqtarët apo prokurorët e korruptuar, të cilët kanë vendosur pasuri në mënyrë të paligjshme, të cilët janë të lidhur me organizata kriminale, por të cilët nuk kalojnë as testin e integritetit profesional, do të largohen nga sistemi përmes vetingut. Këtu ka një strategji të opozitës dhe në fakt të një pjese të caktuar të PD që quhet me emrin ‘familje’, të cilët duan që të bllokojnë procesin. /fund/