Transmetuar më 10-10-2016, 19:13

Vetëm pak kohë pas prezantimit të programit shëndetësor falas “One Life” nga Telekom Albania, një tjetër spital privat i është bashkuar këtij shërbimi të ri. Duke nisur nga sot, të gjithë abonentët e Telekom Albania mund të përfitojnë nga programi “One Life” duke përdorur edhe rrjetin e Spitalit Amerikan në të gjithë vendin.

Në partneritet me spitalet më të mira private si Hygeia, Telekom Albania u ofron abonentëve të saj mundësinë për një jetë më të shëndetshme, duke u regjistruar në dyqanet e kompanisë dhe rimbushur numrin e tyre Telekom.

Një paketë e plotë me ekzaminime dhe vizita mjekësore është tashmë e disponueshme për çdo abonent të kompanisë jo vetëm pranë spitalit Hygeia, por edhe tek ai Amerikan. Përmes këtij shërbimi, Telekom Albania ofron produkte dhe shërbime që mundësojnë komunikimin mes njerëzve dhe lehtësojnë jetën e tyre të përditshme.

Gjithashtu, ky shërbim u jep atyre mundësinë të kujdesen për shëndetin në spitalet private më prestigjioze në Shqipëri.

Abonentët me parapagesë që kryejnë një rimbushje prej 1,000 lekësh përfitojnë paketën “Silver”, e cila përfshin vizita mjekësore pa limit pranë mjekut patolog, kardiolog, ortoped, kirurg, gjinekolog dhe pediatër. Kjo paketë përfitohet sa herë që kryhet një rimbushje.

Në të njëjtën kohë, abonentët mund të kalojnë në paketën “Gold” nëse kryejnë një rimbushje prej 1,000 lekësh për tre muaj rresht, ku përfshihet një paketë analizash vjetore, duke filluar nga analizat e gjakut, nivelit të kolesterolit, glicemisë, testit kardiak, kontrollit dentar dhe një pastrim gurrëzash.

Ndërsa abonentët me kontratë të programeve Smart i përfitojnë të dyja paketat “Silver” dhe “Gold” thjesht duke u bërë pjesë e programit “One Life”. Ndërkohë, abonentët e regjistruar si pjesë të programit “One Family”, mund t’ua ofrojnë këtë shërbim shëndetësor familjes së tyre.

Ndër vite, Telekom Albania ka kontribuar me kapacitetet e saj njerëzore dhe teknologjike në shërbim të sistemit shëndetësor në vend, duke mbështetur ngritjen e infrastrukturës së teknologjisë së informacionit në institucione të ndryshme mjekësore, ofrimin e aparaturave të specializuara, si dhe rinovimin e ambienteve spitalore. Programi shëndetësor “One Life” është premtimi më i ri i Telekom Albania për të rritur cilësinë e jetesës së abonentëve të saj!

Telekom Albania, operatori i parë i telefonisë së lëvizshme në vend, prej dy dekadash vazhdon t’u ofrojë abonentëve të vet, teknologjinë më të mirë. Një vit pas përfshirjes në familjen e madhe Magenta, Telekom Albania ka konsoliduar më tej pozitën si ofruesi i shërbimeve me rrjetin më të besuar dhe të certifikuar si rrjeti më i mirë 4G, si edhe përvojën më të mirë të klientit në vend. /noa.al/