Transmetuar më 23-09-2016, 12:57

Tiranë, 23 shtator 2016, NOA.al- Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta mori pjesë sot në punimet e Komitetit të Monitorimit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës ku temë e aktiviteti ishte toleranca dhe bashkëjetesa fetare.

Në fjalën e tij, Meta shprehu vlerësimin e tij që ky aktivitet zhvillohet në Tiranë, duke shtuar se Shqipëria është modeli i bashkëjetesës fetare.

Kryetari i Kuvendi u ndal në fjalën e tij edhe tek situata ekonomike dhe politike në vend duke thënë se harmonia fetare që ekziston në Shqipëri duhet të jetë një model edhe për harmoninë politike që duhet të ketë vendi ynë.

“Në Shqipëri nuk ka pasur asnjëherë probleme me radikalizmin fetar, por për fat të keq ne kemi patur dhe ende kemi disa probleme me radikalizmin politik. Ndaj toleranca dhe bashkëjetesa mes të ndryshmëve në besim apo edhe në politikë është një sfidë. Ne sfidën e parë e kemi fituar dhe bazuar tek ajo që është një shembull i mrekullueshëm për shoqërinë tonë, besoj që do ta fitojmë edhe sfidën e dytë”, tha Meta.

Ai u ndal tek toleranca dhe harmonia fetare që ekziston në vendin tonë ku objektet e kultit janë pranë njëra-tjetrës.

Sipas tij, vetëm disa qindra metra larg, mund të shihet Katedralja Katolike, Katedralja Ortodokse dhe në ndërtim e sipër edhe Xhamia Myslimane dhe diku më tej edhe Qendra Botërore e Bektashinjve.

“Tingujt e kambanave, por edhe zëri i myezinit në të njëjtën kohë dhe të njëjtin vend janë një gjë normale në të gjithë Shqipërisë, si në veri dhe në Jug. Në këtë drejtim, Tirana është si Jerusalemi, toka ku duket se është pjekur historia. Por ndryshe nga Jerusalemi, këtu gjithnjë fjalën e ka paqja, bashkëjetesa dhe pranimi si i barabartë i të ndryshmit”, u shpreh Meta.

Ai tha në Shqipëri është shumë e zakontë që besimtari katolik dhe ortodoks të festojnë dhe të urojnë Bajramin e Madh dhe Bajramin e Vogël, dhe besimtari mysliman të urojë e të festojë Krishtlindjet.

Në këtë drejtim tha se është normë morale që edhe ateisti të pranojë këtë realitet dhe ai vetë të jetë tërësisht i pranuar dhe normal në sytë e besimtarit praktikant.

Meta e cilësoi si një vlerë kombëtare harmonin fetare që ekziston në Shqipëri duke shtuar se: “Ne jemi dëshmia dhe modeli, jemi prova dhe jetësimi i mundësisë së asaj që për fat keq në vendet e tjera ngjan e pamundur apo shumë e vështirë. Shqipëria dëshmon se të krishterët dhe të myslimanët mund të jetojnë të lumtur me njëri tjetrin”.

Të pranishëm në këtë takim ishin nënkryetarja e Kuvendit Valentina Leskaj, Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi, pjesëmarrës nga 47 vendet anëtare të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, deputetë të Kuvendit të Shqipërisë dhe përfaqësues të komuniteteve fetare në vend./a.y/noa.al