Transmetuar më 22-09-2016, 10:27

Tirana Bank hapi dyert për komunitetin vendas në Shtator të vitit 1996, si Banka e parë me kapital privat në vend. Ajo lindi falë strategjisë së shtrirjes në rajon të Bankës mëmë, Grupit Bankar të Pireut, grupi më i madh bankar në Greqi, me një histori 100 vjeçare bankingu në shumë vende të Europës.

“Banka e Tiranës u krijua 20 vjet më parë, për t’i shërbyer kërkesave në rritje të popullsisë dhe biznesit, si një domosdoshmëri e madhe në vitet e para të krijimit të ekonomisë së tregut të lirë në Shqipëri”, shprehet Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i Tirana Bank, z. Dritan Mustafa.

“Jemi rritur bashkë më klientët tanë, nga viti në vit, sikur të ishim të gjithë pjesë e një familje të madhe. Kemi ofruar shërbim, përkushtim, ndihmesë dhe kemi marrë respekt e besnikëri nga klientela dhe punonjësit në çdo moment. Kjo na shtyn të qëndrojmë pranë komunitetit, si me zgjidhje financiare, ashtu edhe angazhime humane, të cilat i kemi një detyrim kundrejt besimit që klientët tanë na kanë dhënë në këto 20 vite. Hapat e ardhshëm në vazhdimësinë dhe rritjen e biznesit, janë në përgatitje nga Grupi Bankar i Pireut në bashkëpunim me stafin tonë të përkushtuar, për të mbështetur klientët e bankës dhe ekonominë shqiptare në tërësi. Shtyllat kryesore në strategjinë e Bankës vazhdojnë të jenë: mbajtja dhe forcimi i pozitave në tregun bankar, nëpërmjet ruajtjes së stabilitetit të klientelës bazë, duke qenë njëkohësisht aktiv në krijimin e marrëdhënieve me klientë të rinj, individë e biznese, mbajtja e një pozicioni të fortë të likuiditetit dhe të kapitalit, si edhe përmirësimi i vazhdueshëm i cilësisë së shërbimit.”

***

Tirana Bank, anëtare e Grupit Bankar të Pireut, nisi të operojë në Shqipëri në shtator të vitit 1996, si institucioni i parë bankar me kapital privat me licencën e një banke universale. Tirana Bank e ka ndërtuar suksesin e saj përgjatë dy dekadave, duke patur në fokus të vazhdueshëm shërbimin ndaj klientit, individëve dhe biznesit vendas. Duke qenë në të njëjtën kohë një pjesëmarrëse aktive në mbështetje të përgjegjësisë sociale për rritjen e mirëqenies, cilësisë së jetesës dhe përmirësimin e mjedisit ku ne punojmë dhe jetojmë.

Tirana Bank ofron një gamë te gjerë e gjithnjë në rritje produktesh, të cilat janë përshtatur për tregun lokal si: depozita, kredi individuale dhe biznesi, shkëmbim valutor, karta debiti VISA Electron, karta krediti VISA Classic e Gold, pagesa ndërkombëtare, banking online, rrjet prej 71 ATM, pagesa në mbi 200 POS, kujdes ndaj klientit 24 orë nëpërmjet Infobank (call-center) e mjaft të tjera. Sot, banka vazhdon të mbajë një pozicion të fortë në tregun vendas, nëpërmjet rrjetit të 39 degëve dhe agjencive të shtrira në kryeqytet dhe në 16 qytetet kryesore të Shqipërisë.