Transmetuar më 18-09-2016, 14:19
Presidenti Bujar Nishani shpreh ngushëllime për ndarjen nga jeta të ish-kreut të Komunitetit Mysliman Shqiptar, Haxhi Selim Muça.

Kreu i Shtetit vlerëson kontributin e tij si të pazëvendësueshëm për ndriçimin e rrugës së besimit të besimtarëve gjatë të gjithë jetës së tij dhe, në mënyrë të veçantë gjatë periudhës që ai ka drejtuar Komunitetin Mysliman Shqiptar, duke e vendosur atë në mesin e personaliteteve më të shquara të vendit tonë që kanë kontribuar për fe e për atdhe.

Mesazhi i Presidentit Nishani

“Me hidhërim të thellë mësova sot lajmin e dhimbshëm të ndarjes nga jeta të besimtarit të devotshëm e të përkushtuar, të drejtuesit të mençur, largpamës, paqedashës dhe të urtë të komunitetit të besimtarëve të fesë islame, të mikut të mirë në ditë të mira e në ditë të vështira, të prindit të mrekullueshëm, Selim Muça.

Kontributi i tij i pazëvendësueshëm për ndriçimin e rrugës së besimit të besimtarëve gjatë të gjithë jetës së tij dhe, në mënyrë të veçantë gjatë periudhës që ai ka drejtuar Komunitetin Mysliman Shqiptar, e vendos atë në mesin e personaliteteve më të shquara të vendit tonë që kanë kontribuar për fe e për atdhe.

Duke ndarë dhimbjen e thellë për humbjen e këtij personaliteti të shquar të besimit, të kulturës dhe të shoqërisë shqiptare, u përcjell ngushëllimet më të thella e të sinqerta të gjithë drejtuesve të Komunitetit Mysliman Shqiptar, të gjithë besimtarëve të komunitetit mysliman që ai i udhëhoqi me aq devotshmëri e përkushtim, të gjithë bashkëpunëtorëve të tij dhe, në mënyrë të veçantë, të gjithë familjarëve dhe të afërmeve të tij.

U prehtë në paqe shpirti i tij!”

Ndahet nga jeta ish- kreu i Komunitetit Mysliman, Selim Muça