Transmetuar më 18-09-2016, 11:37

Shkodër, 18 shtator 2016, NOA.al- Me një investim rreth 115 milionë lekë, fillon transformimi i qytetit të Pukës, sipas një projekti krejt të veçantë për ta lidhur në të ardhmen qendrën me liqenin.

Qendra tërësisht e rikonceptuar, fasada të rinovuara, hapësira të gjelbra që krijohen rishtas, sistem i ri ndriçimi do të jetë pamja e re e qytetit në përfundim të projektit, që nis javën tjetër.

Kryebashkiaku Gjon Gjonaj tha se projekti tjetër fillon javën tjetër dhe për të shtoi se përmban gjithë elementët, trotuare lulishte, çatia, fasada dhe gjithçka.

Ndërhyrjet urbane përfshijnë edhe rehabilitimin e bllokut të banimit pas Pallatit të Kulturës, ku po bëhet sistemimi i rrugëve dhe sheshit mes banesave.

Rilindja Urbane synon të kthehet në një motor të transformimit të Pukës nga një zonë e harruar, në një prej destinacioneve turistike të veriut të Shqipërisë.

Nga ana e tij Kryeministri Edi Rama tha gjatë vizitës së tij, se Puka në një hark prej 5 vitesh do jetë një qytet vërtet cilësor turistik.

“Një destinacion turistik, sepse nuk është një qytet ku ti kalon për të shkuar diku, por është një qytet ku ti duhet të vish enkas. E që të vish enkas në Pukë ka qenë diçka krejtësisht e paimagjinueshme, sepse infrastruktura shumë e keqe, qyteti i braktisur, ndërkohë që me këto ndërhyrje që po bëhen dhe me shfrytëzimin e potencialeve natyrore që janë të jashtëzakonshme, jam i bindur që do të ndërtojmë një zonë të mirëfilltë turistike të Shqipërisë. Ashtu siç po ndodh me Malësinë e Madhe, do ndodhi dhe me Pukën, ku do të ketë nxitje të punësimit familjar nëpërmjet turizmit dhe një rritje të prodhimit bujqësor në funksion të turizmit në këtë zonë,” u shpreh Kryeministri Rama.

Lufi është një njësi e vogël administrative në hyrje të qytetit të Pukës. Prej kohësh, banorët e kishin braktisnin qytezën, por tashmë vihet re një rikthim i banorëve. Me një fond prej 20 milionë lekësh është bërë meremetimi i banesave, përfshirë termoizolimin. Projekti do të vazhdojë në fazën e dytë me asfaltimin e rrugëve, ndriçimin dhe hapësirat e gjelbra.

Mbas 30 vitesh, 11 mijë hektarëve tokë bujqësore në fshatrat e Lezhës dhe Vaut të Dejës në Shkodër ju rikthehet kullimi. Dhera, ferra dhe inerte e kishin nxjerrë plotësisht jashtë funksionit kanalin kullues në segmentin Gjadër-Mjedë. Edhe reshje shiu jo të forta mund të përmbytnin tokat bujqësore të fshatrave Zojs, Gramsh, Mabe, Kukel, Barbullush, Bushat, Mjede etj., duke u shkaktuar dëme serioze fermerëve.

Në fshatin Kukel, Kryeministri Edi Rama inspektoi punimet për rehabilitimin e sistemit të kullimit në këtë segment, i financuar nga programi për rehabilitimin e infrastrukturës ujitëse dhe kulluese në fshat.

“Janë zgjidhur problemet përfundimtare të 11 000 hektarëve tokë bujqësore, sa i përket problemit të kullimit, por ajo që është më kryesorja është që shmang dhe rrezikun e përmbytjes, duke pasur parasysh dhe situatën e viteve të fundit me reshjet. Ky segment është 22 kilometër i gjatë dhe përshkon në gjithë segmentin, duke filluar nga Zojsi, Kukeli, Barbullushi dhe del deri në kufi të bashkisë së Vaut të Dejës,” tha kryetari i Bashkisë së Vaut të Dejës Zef Hilaj.

Rikthimi i sistemit të ujitjes dhe kullimit, i cili është shtrirë në të gjithë vendin, është ndër projektet më madhore për bujqësinë dhe fshatin. Ai garanton nxjerrjen e mijërave hektarë tokë bujqësore nga harta e përmbytjeve, si dhe vendosjen e mijëra hektarëve të tjerë nën ujë.

Kreu i qeverisë tha se impakti që po krijon gjithë ky program i pastrimit të kanaleve është i ndjeshëm, por shtoi se kudo është e njëjta histori, që po futen në ujë, po hapen hapësira për punë në bujqësi, me mijëra hektarë vetëm nga uji dhe ndërkohë mbrohen sepse janë të kanalizuar.

“Por unë jam i bindur që deri për sezonin e ardhshëm, ne do ta mbyllim gjithë këtë skemë e do t’i kemi gjithë parcelat nën ujë. Dhe këtë fazën tjetër të projektit do ta garantojmë patjetër, sepse ky është një aks që nuk është vetëm thjesht puna për të vaditur një pjesë tokash, por dhe për të garantuar përfundimisht që mos ketë përmbytje dhe histori të tilla, që kanë ardhur nga bllokimi i këtij aksi,” nënvizoi Rama.