Transmetuar më 17-09-2016, 17:13
Pukë, 17 shtator 2016, NOA.al- Kryeministri Edi Rama e cilësoi si fillimin e një transformimi të dukshëm, ndonëse problemet janë të mëdha dhe zgjidhjet kërkojnë shumë më tepër kohë, legalizimin e tokave bujqësore.

Duke folur pasditen e sotme nga Gjegjani i Pukës, ku shpërndau legalizimet e tokave bujqësore, ai tha se në këtë bashki nuk ishte vënë dorë prej kohësh.

“Së shpejti do fillojë puna për një projekt të rëndësishëm, për transformimin e gjithë qendrës së Pukës, e cila është lënë në harresë qysh prej kohës së mëparshme dhe ka një potencial shumë të madh për shkak të liqenit. Do jetë një projekt i pazakontë për sa i përket atyre të rilindjes urbane, pasi do jetë e dyta bashki e re që qendrën e re do e ketë të lidhur me liqenin”, u shpreh Rama, duke e cilësuar si fat të madh, pasjen e liqenit në mes të qytetit.

Kreu i qeverisë tha se Puka do kthehet në një prej destinacioneve të rëndësishme turistike të Shqipërisë së veriut.

Ai u zotua për financime në zonë, duke shtuar se rruga për të shkuar deri në Gjegjan nuk do qëndrojë në këtë gjendje më gjatë se ka qenë, duke thënë se ajo lidh qendrën e bashkisë me një komunitet shumë të madh në Gjegjan./a.y/noa.al

Edi Rama, foto arkiv