Transmetuar më 17-09-2016, 13:43

Kryeministri Edi Rama në kuadër të projektit për Rilindjen Urbane, është ndalur për të inspektuar qendrën e Vermoshit dhe rrugën Tamarë- Vermosh, në Malësinë e Kelmendit.

Tamara një nga perlat e Alpeve shqiptare, po kthehet në burimin më të fuqishëm ekonomik për 2 mijë banorët e saj dhe një aset i çmuar i turizmit kombëtar.

Tamara ka tashmë një shëtitore të re, e shtrirë në 5 mijë m2 përgjatë lumit Cem, është bërë rikonstruksioni i çative dhe është bërë riveshja e fasadave të ndërtesave në qendër, si dhe është bërë mbjellja e pemëve përreth shëtitores. Aktualisht po punohet për vendosjen e sistemit të ndriçimit, i cili do të jetë në tokë dhe nën strehën e çative, si dhe gjatë shëtitores.

Kryeministri Rama nënvizoi se qeveria ka një projekt të qartë për turizmin në këto treva. Vetëm nga ndërtimi i rrugës dhe ndërhyrjet e bëra në Tamarë, impakti ka qenë i menjëhershëm, me shumëfishim të fluksit të vizitorëve.

Rilindja Urbane i ka rikthyer Tamarës dhe familjeve të saj shpresën për t’i shndërruar bukuritë natyrore në pasuri për zhvillimin e qëndrueshëm të zonës, tha kreu i qeverisë.

Vermoshi është një tjetër pikë e atraksionit turistik malor të Shqipërisë. Pas ndërtimit të rrugës deri në Tamarë, aktualisht po punohet për lotin e dytë të rrugës, nga Tamara në Vermosh. Me përfundimin edhe të këtij segmenti, deri në Vermosh do të mund të shkohet në më pak se 90 minuta, nëpër një rrugë mbresëlënëse.

Nga ballkonet panoramike të projektuara përgjatë gjithë itinerarit mund të shijosh bukuritë natyrore të Malësisë së Kelmendit, shoqëruar me informacion mbi gjeografinë, historinë dhe kulturën e kësaj treve.

“E gjithë rruga është e shoqëruar nga këto elemente turistikë dhe është një e re që sjellim në të gjithë zhvillimin e zonës. Ka disa ndalesa, disa pika panoramike dhe çdo turist vjen vetëm për të parë qendrat që kemi ristrukturuar dhe të Tamarës dhe të Vermoshit që po bëjmë, njëkohësisht mund të ndalojë dhe të marri një imakt shumë të mirë të historikut dhe të kulturës së vendit dhe bukurive natyrore,” tha Benet Beci, drejtor i Fondit Shqiptar të Zhvillimit, përmes të cilës është financuar projekti.

Një projekt, e cilësoi Kryeministri, që integron shumë elementë që rrisin ofertën turistike dhe zhvillimin ekonomik të trevës dhe atë kombëtare. Ndërtimi i rrugës deri në Tamarë solli një shumëfishim të numrit të turistëve, çka pritet të ndodhë edhe në Vermosh me përfundimin e të gjithë rrugës.

Rama shtoi më tej se në një total të projektit rreth 70 kilometra dhe faktikisht, nga 3 orë e gjysmë apo 4 orë duhej të shkoje nga qendra e Bashkisë së re të Malësisë së Madhe në Koplik deri në Vermosh, rruga bëhet pak a shumë 90 minuta.

“Kjo na jep një dorë të madhe, për të vazhduar me projektin e zhvillimit të turizmit këtu, që siç e kemi parë nga ndërhyrjet e bëra deri tani gjatë segmentit që përfunduam dhe ndërhyrja e bërë në Tamarë, impaktin e ka të menjëhershëm me një rritje disafish të fluksit. Shoqëruar kjo edhe me ndërhyrje të tjera, qoftë të shtetit, qoftë nga sipërmarrja private, unë jam i bindur që në harkun e 5 viteve, kjo zonë do të jetë një zonë tërësisht e transformuar në pikëpamje të impaktit në sektorin e turizmit dhe në ekonominë kombëtare”, u shpreh Rama.

Ai deklaroi se vit pas viti ka filluar të ndihet që familjet do të fillojnë të marrin frymë ekonomikisht për shkak të fluksit të turistëve.

Sipas tij, duke rritur fluksin e turistëve është e qartë që duhet të jepet përgjigje edhe me infrastrukturë të re, të zhvilluar, nga sipërmarrja private, sepse kapacitetet akomoduese të zonës ekzistuese si hoteleri shtëpiake nuk janë të mjaftueshme për atë që pritet nga plani i zhvillimit.

Edhe në Vermosh do të shtrihet projekti i Rilindjes Urbane. Në bisedë me drejtues vendorë, Kryeministri nënvizoi që duhet të vlerësohen dhe merret në konsideratë çdo element i zonës që maksimizon impaktin që projekti duhet të ketë në rritjen e turizmit dhe zhvillimit të ekonomisë familjare./a.y/noa.al