Transmetuar më 16-09-2016, 08:25

Në një kohë kur refugjatëve po u mbyllen dyert në të gjithë botën, duket se ka shumë gjëra për të mësuar nga prirja e Shqipërisë për mikpritje. Me këto fjalë e nis prestigjiozja “BBC” materialin e titulluar “Çfarë mund të na mësojë Shqipëria mbi besimin”, i cili i dedikohet atij që quan një vend i varfër europian, por që shpëtoi mijëra jetë njerëzish.

Gazetari Quinn Hargitai, përmes intervistave me qytetarë shqiptarë kujton periudhën e luftës në Kosovë, kur 500 mijë refugjatë kërkuan strehim në vendin fqinj përgjatë dy viteve, për t’i shpëtuar vdekjes e shkatërrimit.

“Shqiptarët shkonin në kampe, gjenin një familje dhe e merrnin atë në shtëpi. Nuk i kishin as miq e as të afërm, por i trajtonin ata si pjesë të familjes”, citon BBC-ja fjalët e një të reje nga Berati, familja e së cilës nuk e kishte vëzhguar nga larg eksodin, duke i hapur dyert disa kosovarëve.

“Besa, një fjalë të cilën nuk e kisha dëgjuar më parë, është si një lloj kodi për shqiptarët, i cili dikton mikpritjen e tyre bujare. Nëse dikush kërkon ndihmë, duhet t’i ofrosh një vend ku të qëndrojë. Është e thjeshtë”, pohon gazetari, duke iu referuar pohimit të vajzës së intervistuar, se shqiptarët kanë besë.

Edhe pse shumë nuk e dinë, Shqipëria ishte i vetmi vend europian që rezultoi me një popullsi më të madhe hebrenjsh në fund të Luftës së Dytë Botërore, nga ç’kishte në fillim. Kjo do të thotë se, përveçse shpëtoi hebrenjtë që gjendeshin prej kohësh atje, u ofroi strehim edhe 2.000 të tjerëve nga vendet fqinje.

Pavarësisht presionit nga fashistët italianë dhe ushtarëve nazistë, shqiptarët refuzuan të dëbonin të ftuarit e tyre, pasi kjo, jo vetëm do të përbënte një turp të madh, por edhe do të detyronte të zotin e shtëpisë të hakmerrej.

“Edhe tani, Shqipëria e ka ofruar sërish besën e saj, këtë herë për ata që vijnë nga Lindja e Mesme”, vijon artikulli i BBC-së, që përmend strehimin e qindra refugjatëve iranianë, shkruan tch. Por pavarësisht këtyre veprimeve heroike, Shqipërisë nuk i është njohur merita për shërbimet e saj të mëdha.

“E vërteta – vëren gazetari, – është se një vend i vogël dhe i varfër ballkanik e ka të vështirë të tërheqë mbi vete vëmendjen ndërkombëtare, edhe pse ka çfarë t’u mësojë shteteve të mëdha”.