Transmetuar më 12-09-2016, 15:55

Ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Ditmir Bushati, flet mbi marrëdhëniet shqiptaro-greke, ato në rajon dhe përpjekjet e vendit tonë për integrimin në Bashkimin Evropian. Z.Bushati komenton dhe debatet nacionaliste që hapen shpesh në dy vendet, sidomos gjatë fushatave elektorale. Ai pohon se kjo retorikë nacionaliste nuk përqafohet nga pjesa më e madhe e njerëzve në Shqipëri dhe Greqi. Ministri Bushati vlerëson se nacionalizmi në Greqi nuk ka si shënjestër Shqipërinë, sikurse sipas tij, retorika kombëtare që dikush në Shqipëri mund të ketë në mendje, nuk beson se mund të shënjestrojë në mënyrë automatike Greqinë dhe grekët.

Duke u ndalur te situata e fundit në Turqi, z.Bushati thotë se diplomacia shqiptare e dënoi grushtin e shtetit që u tentua, por njëkohësisht edhe zhvillimet që rrodhën menjëherë më pas. Bushati vlerëson se pasojat pas grushtit të shtetit duhet të adresohen në përputhje jo vetëm me detyrimet kushtetuese të Turqisë, por edhe me angazhimet ndërkombëtare, standardet evropiane dhe Konventën Evropiane të të Drejtave të Njeriut.

Ndiqni më poshtë të plotë, intervistën që z.Bushati dha nga ishulli Rodos, për Independent Balkan News Agency.

Intervistoi: Spiros Sideris / IBNA

IBNA: Z. Bushati, sa e rëndësishme ishte konferenca në Rodos, për Shqipërinë dhe për rajonin? 

Bushati: Konferenca ka një rëndësi të dyfishtë për shkak të çështjeve që përfshinte dhe pikë së dyti, për shkak të pranisë së një grup vendesh që kanë një interes legjitim në zhvillimet në Mesdhe dhe këtu i referohem vendeve të BE-së si Greqia, që është mikpritësja e kësaj konference, por edhe Italia dhe vende kandidate të BE-së, si Shqipëria, por edhe vende të tjera që janë pjesë e Ligës Arabe apo në Gjirin Persik. Sa na takon neve, kjo është një nga motot e politikës sonë të jashtme: të kyçur në Ballkan dhe të hapur në Mesdhe. Si rezultat i kësaj, çdo iniciativë në Mesdhè, që ndihmon qëndrueshmërinë, sigurinë dhe e bën Mesdheun një zonë më të zhvilluar ekonomike, është në harmoni me objektivat tona të politikës së jashtme.

IBNA: Para disa ditësh, ju ishit në Bratislavë ku morët pjesë në ministerialin e BE-së. A ka pasur zhvillime mes Shqipërisë dhe BE-së, veçanërisht në lidhje me integrimin e vendit?Bushati: Më 8 shtator, ne mbajtëm Këshillin e Stabilizim-Asocimit, i cili është një event i përvitshëm, ku Shqipëria dhe Bashkimi Evropian ulen së bashku për të diskutuar progresin e bërë në aspektin e integrimit evropian, por edhe për të identifikuar hapat që lehtësojnë implementimin e reformave të nevojshme për këtë proces. Në korrik, Shqipëria kaloi një reformë mjaft të rëndësishme kushtetuese, që ka të bëjë me një ndryshim drastik në sistemin e drejtësisë. Siç e dimë, reforma në sistemin e drejtësisë është çelësi i të gjitha reformave që lidhen me sundimin e ligjit. Ajo është kyç, pikë së pari, për zhvillimin demokratik, ndihmon në investimet strategjike në Shqipëri, por është e rëndësishme edhe për rrugëtimin e integrimit evropian. Dua t’ju kujtoj që kjo reformë ishte një nga prioritetet kyçe të vendosura nga Komisioni Evropian për procesin e integrimit të Shqipërisë dhe me ratifikimin e paketës kushtetuese në parlament dhe fillimin e implementimit të kësaj reforme, është e arsyeshme që ne të presim një rekomandim nga Komisioni Evropian, i cili do t’i hapte dritën jeshile procesit të fillimit të bisedimeve për anëtarësim.

IBNA: Vitin që shkoi ju morët pjesë në një takim mes Shqipërisë, Bullgarisë, Greqisë dhe Maqedonisë. Cilat janë pritshmëritë tuaja dhe çfarë prisni nga një takim i ardhshëm që do të kryhet në të njëjtin format? Mendoni se një format i tillë i bën ndasitë mes vendeve, më pak të rëndësishme? Dhe, a jeni dakord që ky format të përfshijë edhe Turqinë në të ardhmen?Bushati: Vitin e kaluar, katër vendet që ju përmendët, u ulën dhe diskutuan sfidat që kishin të bënin me migrimin, sepse Greqia ishte më e prekur nga flukset migratore, por vende të tjera që ishin pjesë e këtij takimi, kishin kaluar përvoja të tilla. Ideja e këtij takimi ishte që të koordinoheshin më mirë përpjekjet e përbashkëta të të gjitha vendeve tona, por po ashtu edhe për t’i dërguar një mesazh bashkimi BE-së dhe faktorëve të tjerë kyç që këto kriza të paprecedenta që prej Luftës së Dytë Botërore, mund të adresohen vetëm me anë të mirëkuptimit dhe veprimeve të dakordësuara nga më shumë se një grup i vogël vendesh. Sigurisht që këto katër vende i bashkojnë çështje që shkojnë përtej çështjeve të migrimit dhe në rast se kemi nevojë që të diskutojmë çështje më të gjera, ka faktorë të tjerë më të rëndësishëm në rajon, siç është Turqia, të cilën përmendët edhe ju. Por për momentin, kjo nismë e filluar vitin që shkoi, duhet të ketë rezultate konkrete në fushën e migrimit. Ne kemi pasur po ashtu një takim në nivel ministrash të brendshëm dhe drejtorë të përgjithshëm të policisë për të koordinuar të gjitha përpjekjet tona në fushën e migrimit. Ka ardhur koha që të shohim se çfarë mund të përmirësojmë dhe se çfarë planesh veprimi mund ta bëjnë këtë nismë më konkrete.

IBNA: Shqipëria ka marrëdhënie të mira me Maqedoninë dhe Turqinë. Së fundmi, Shqipëria është përballur me një krizë të brendshme politike. Cili është vlerësimi juaj në lidhje me pasojat e grushtit të shtetit në Turqi dhe a mund të ketë pasoja në rajon?

Bushati: Situatat në të cilat po kalojnë Ankaraja dhe Shkupi nuk janë të ngjashme. Më lejoni t’ju kujtoj se vështirësitë politike që Shkupi fqinj po kalon ka lidhje me kontestin politik dhe nevojën për një klimë më të mirë ndër-etknike dhe po ashtu edhe me nevojën për të përshpejtuar disa procese të rëndësishme që lidhen me demokracinë dhe sundimin e ligjit. Këto procese që prekin vende të tjera në rajon, përfshijnë edhe Shqipërinë. Sa i takon situatës politike në Ankara, Shqipëria e ka dënuar grushtin e dështuar të shtetit dhe ka qenë gjithnjë në favor të zgjidhjeve që bazohen në legjitimitet demokratit, por nga ana tjetër, në ministerialin e Këshillit të Evropës, që u mbajt në lidhje me zhvillimet në Turqi, unë theksova që ne besojmë fort se pasojat pas grushtit të shtetit duhet të adresohen në përputhje jo vetëm me detyrimet kushtetuese të Turqisë, por edhe me angazhimet ndërkombëtare, standardet evropiane dhe Konventën Evropiane të të Drejtave të Njeriut.

IBNA: Z. Ministër, si një vëzhgues i marrëdhënieve mes Greqisë dhe Shqipërisë, kam vënë re se marrëdhëniet mes vendeve janë përmirësuar së tepërmi. Duke qenë se Shqipëria do të mbajë zgjedhje vitin që vjen, dua të di nëse disa prej çështjeve të hapura mes dy vendeve do të bëhen pjesë e debateve dhe debateve që lidhen me koalicioneve që do të krijohen?

Bushati: Greqia është një vend i mirë fqinj dhe një partner strategjik i Shqipërisë. Ne na bashkon jo vetëm gjeografia, por edhe historia dhe e ardhmja e dy vendeve. Është në interesin më të lartë të të dyja vendeve që të vazhdojnë dhe të kultivojnë marrëdhënie të mira dhe të zgjidhin të gjitha çështjet e hapura në frymën e mirëbesimit dhe respektit të ndërsjellë dhe në përputhje me ligjin ndërkombëtar. Me mikun dhe kolegun tim, Kotzias, ne kemi rënë dakord mbi një platformë bashkëpunimi në kuptimin e çështjeve që duhet të adresohen dhe një grup ekspertësh nga të dyja palët janë në komunikim të vazhdueshëm me njëri-tjetrin për të gjetur mënyrën më të mirë për tejkalimin e situatave që në të kaluarën mund të mos kenë qenë të këndshme dhe nga ana tjetër, se si të ofrojmë zgjidhjet më të mira për t’i bërë raportet mes Greqisë dhe Shqipërisë raporte të qëndrueshme. Në çdo shoqëri, në Greqi, Shqipëri, por edhe në vende të tjera evropiane, besoj se gjatë fushatave para zgjedhore apo zgjedhore, ka raste kur temperatura rritet dhe individë të veçantë apo pjesë periferike të shoqërive tona, tentojnë që të pushtojnë debatin publik me çështje të ndryshme dhe retorikë nacionaliste, e cila nuk besoj se përqafohet nga pjesa më e madhe e njerëzve në Shqipëri dhe Greqi. Nuk mendoj se nacionalizmi në Greqi ka si shënjestër Shqipërinë dhe nuk besoj se retorika kombëtare që dikush në Shqipëri mund të ketë në mendje, mund të shënjestrojë në mënyrë automatike Greqinë dhe grekët. Duke qenë se të dyja vendet janë anëtare të NATO-s, besoj se kanë që të dyja pjekurinë e nevojshme për të ecur përpara duke zgjidhur ato çështje që ndonjëherë mund të krijojnë ngecje në raportet solide që Shqipëria dhe Greqia kanë.

INTERVISTA NE ANGLISHT Exclusive Interview / IBNA: Ditmir Bushati Minister of Foreign Affairs of Albania