Transmetuar më 12-09-2016, 15:36

Nesër pritet që trafiku në Tiranë të arrijë pikun e tij. Jo vetëm se  qendra e kryeqytetit është e bllokuar për shkak të punimeve, por këtij stresi e makthi, nesër më 13 shtator i shtohen edhe nxënësit e shkollave që nisin viti e ri shkollor.

Por për të përballuar këtë trafik, Policia e Shtetit dhe veçanërisht ajo e Tiranës ka hartuar një plan masash, të cilat mendohet se mund të lehtësojnë paksa trafikun që pritet të krijohet në orët e para të mëngjesit. Ervin Dervishi, specialist në drejtorinë e Policisë Rrugore, përveç se tregon se e gjithë policia rrugore e kryeqytetit është në gatishmëri të plotë në të gjitha akset e Tiranës,  ai ka edhe një këshillë për prindërit; të  dalin 10 minuta para nga shtëpia për të mos u bërë  agresiv nëse ngecin në trafik, si dhe të mos vënë në  përdorim të gjitha makinat që kanë në pronësi të tyre. 

Ervin Dervishi, i cili  tashmë është në strukturat qendrore, në Sektorin e Sigurisë Rrugore pranë drejtorisë së Policisë Rrugore në Drejtorinë e Policisë së Shtetit, veç të tjerash në një  intervistë për agjencinë e lajmeve "NOA.al" rendit disa nga problematikat më serioze në rrugët e  Tiranës, që janë, shkelja e semaforit, parakalimi i  gabuar apo edhe sidomos mos vendosja e rripit të  sigurimit.

Madje tashmë ka hyr në fuqi edhe masa e re e gjobës për vendosjen e rripit të sigurimit e sidomos kontrollet do të përqendrohen te fëmijët. Për Dervishin  problemi qëndron te prindërit, të cilët nuk i kanë edukuar fëmijët e tyre në moshë të vogël për të  vendosur rripin e sigurimit, e tani në një moshë më  madhore është ë vështire t’i bindësh që duhet të  vendosin rripin kur udhëtojnë. “Shqiptarët janë shoferë me moshë 20-vjeçare dhe nga konstatimet që policia ka bërë  rezulton se drejtuesit e mjeteve e vendosin rripin nga frika e  gjobës ose policit në rrugë.

 

NOA.al: Cilat janë masat që ka marrë policia e Tiranës për nisjen e vitit të ri shkollor për të shmagur trafikun e rënduar?

Ervin Dervishi:Për sezonin shkollor 2016-2017 masa për zhvillimin normal të procesit të fillimit mësimor ka marrë jo vetëm policia e Tiranë, por të gjitha drejtoritë në tërësi ku edhe policia rrugore si çdo vit angazhohet me të gjitha forcat, sidomos në 3 ditët e para të fillimit të procesit. Më pas Patrulla e Përgjithshme e policisë dhe patrullat e policisë rrugore përqendrohen në oraret pik të lëvizjes së nxënësve, sidomos në orën e hyrjes dhe daljen nga shkolla. Rëndësi u kushtohet si gjithmonë shkollave që janë në afërsi të zonave me qarkullim mjetesh dhe sidomos institucioneve arsimore të ciklit të ulët. Janë 100% të forcave të policisë rrugore që do angazhohen në ditët e para të procesit mësimor. I rikujtojmë prindërve se megjithëse do jetë ditë fillimi shkolle dhe ngarkesa do jetë e madhe, të mos abuzojnë me ligjin dhe sidomos me fëmijët e tyre duke i këshilluar ato që t’i fiksojnë në sediljet e posaçme dhe me rripat e sigurimit sipas moshave. Kërkohet mirëkuptim nga ana e drejtuesve të mjeteve që të shmangin sa më shumë përdorimin e mjeteve nga dy për familje. Përdoruesit e rrugës zgjedhin pothuajse të njëjtën orë për të dalë nga shtëpia drejt destinacioneve, shkollë apo punë. Këshillojmë dhe sugjerojmë përdoruesit e rrugës të zgjedhin oraret e përshtatshme për të udhëtuar, qoftë edhe 10 minuta më herët se e zakonshmja. Kjo ul tensionin gjatë drejtimit të mjetit, shmang vonesat dhe drejtimin në mënyre agresive.

NOA.al:  Është parë e arsyeshme që aplikimi i gjoba për vendosjen e rripit të sigurimit dhe në mënyrë të veçantë tek fëmijët u shty për disa ditë, cila është arsyeja?

Ervin Dervishi: Pikë së pari do duhet të sqarojmë një gjë shumë të rëndësishme, faktin se ndryshimet e fundit në Kodin Rrugor kanë hyre në fuqi më 21.01.2016. Sigurisht që Kodi Rrugor si çdo ligj tjetër ka të parashikuara dispozitat tranzitore në mënyrë që të bëhet aplikimi i plotë i tij. Fjala bie, policia rrugore nuk mund të kërkojë zbatimin e disa dispozitave të veçanta kur ato ende nuk janë përmbushur nga Ministria e Transportit për shkak se në të vërtetë nevojitet një proces i gjatë deri në implementimin përfundimtar të tyre. Këtu e kam fjalën për lejet e reja të drejtimit për kategorinë e mjeteve motorike me dy rrota, çiklomotorët. Theksojmë se në ndryshimet e fundit nuk ka ndonjë risi të jashtëzakonshme pasi edhe më parë mos vendosja e rripit të sigurimit ndëshkohej. Gjithashtu në kodin e vjetër sanksionohej detyrimi i drejtuesit të mjetit që të pajiste me rripa sigurie dhe me pajisje fiskuese, fëmijët deri në moshën 12 vjeç. Ndryshimi në këtë rast ka të bëjë me masën në vlerë të gjobës e cila nga 500-1500 bëhet 5000-15.000 lekë gjithashtu, cilido, që nuk përdor rripat e sigurisë dhe sistemet e fiksimit, të parashikuara për pasagjerët deri në 12 vjeç, ndëshkohet me masë administrative, me gjobë nga nga pesë mijë deri në pesëmbëdhjetë mijë lekë. Kur shkelja i takon një fëmije në moshë jomadhore, përgjegjësia bie mbi drejtuesin e mjetit ose, kur ndodhet në çastin e kryerjes së shkeljes, mbi atë që është ngarkuar me mbikëqyrjen e kësaj fëmije. Në rast se është drejtuesi i mjetit, përveç masës administrative të ndëshkimit me gjobë, merret edhe masa administrative plotësuese e pezullimit të leje drejtimit për një periudhë nga 6 deri në 12 muaj.  Njoftimet për drejtuesit e mjeteve për ndryshimet në fjalë kanë filluar që më 01.09.2015 në media të ndryshme si dhe më pas kemi ndërmarrë fushata ndërgjegjësuese duke shpërndarë materiale sensibilizuese në rrugë. Pavarësisht kësaj, ndërgjegjësimi dhe sensibilizimi nuk mund të jetë pa kufi, ka një moment kur duhet të fillojë aplikimi i zbatimit të dispozitave ligjore. Ky moment ishte caktuar data 05.09.2016, por duke marrë në konsideratë thirrjen qytetare për informim të mëtejshme vendosëm që këtë datë ta shtynim edhe për 5 ditë të tjera. Kjo është arsyeja e shtyrjes së afatit të fillimit të aplikimit.

NOA.al: Sa të kujdesshëm janë prindërit ndaj fëmijëve teksa janë në makinë?

Ervin Dervishi:Sigurisht që për prindërit nuk ka gjë më të çmuar dhe më të vyer se fëmija e tyre. Fëmija që në barkun e nënës fillon të ndjekë ritmet e jetës së nënës. Pas lindjes fëmija fillon të imitojë sjelljen e prindërve të tyre ku më pas me kalimin e kohës bëhet model i sjelljes së vetë fëmijës. Pra, ashtu sikurse vetë prindërit sillen atë model sjelljeje do kenë dhe fëmijët e tyre. Kjo gjë vlen edhe në çështjet e edukatës rrugore e cila për fat të keq tek përdoruesit e rrugës mungon, ose anashkalohet më qëllim duke u bërë kështu modeli më i keq për sjelljen e fëmijëve të tyre dhe pa dashje me këtë sjellje i kanë bërë dëmin më të madh fëmijëve të tyre pasi sot ne ndeshemi me prindër të cilët nuk arrijnë dot t’i ulin fëmijët në ndenjëset e posaçme apo t’i lidhin me rripat e sigurisë. Dhe kjo gjë është më se normale kur vetë prindi nuk e ka vendosur vetë kurrë rripin e sigurisë, nuk ja ka shpjeguar asnjëherë që në moshë të hershme fëmijës sinjalistikën rrugore, sidomos semaforin apo vijat e bardha. Dhe nuk mund të presim nga prindërit që të vendosin autoritetin e tyre ndaj fëmijës në moshën 8 vjeç apo më shumë.

NOA.al:  A mendoni se këto gjoba të “majme” do të disiplinojnë drejtuesit e automjeteve dhe prindërit për të vendosjen e rripave të sigurimit?

Ervin Dervishi:Ndëshkimi për mos vendosjen e rripit të sigurimit nuk është gjë e re për drejtuesit e mjeteve. Duke qenë se kjo dispozitë ka qenë që në momentin e hartimit të Kodit Rrugor në vitin 1998, presupozohet se prej më shumë se 20 vitesh drejtuesit e mjeteve të kenë pasur kohën e mjaftueshme që ta kalonin frikën ndaj policit dhe të ndërgjegjësoheshin. Por ka ndodhur e kundërta, deri më tani konstatojmë se rripi i sigurimit vendoset prej frikës së policit rrugor, pra të gjobës. Gjithashtu nuk duhet të harrojmë se shqiptarët kanë vetëm 20 vjet që drejtojnë mjete, pra jemi shoferë 20-vjeçarë ndërkohë që bota ka dekada të tëra si dhe e ka konsideruar çështjen e sigurisë rrugore prioritet. Të kuptohemi, kultura e përgjithshme që na karakterizon si popull nuk duhet të ngatërrohet me kulturën rrugore. Nuk duhet të harrojmë se pjesa më e madhe e të ndëshkuarve deri më sot kanë qenë për mos vendosjen e rripit të sigurimit, gati 30-40 % të masave në total. Mund të them se çdo drejtues mjeti mund të jetë gjobitur të paktën dy herë për mos vendosjen e rripit të sigurimit.  E vërteta është se përshkallëzimi i masave të gjobës për mosvendosjen e rripit të sigurimit do të sjellë padyshim reagim pozitiv tek drejtuesit e mjeteve. Pritshmëritë tona janë që të mos vendosim asnjë masë gjobë duke shpresuar mirëkuptimin e të gjithë drejtuesve të mjeteve për vendosjen e rripave të sigurimit si dhe të kujdesen për fëmijët deri në moshën 12 vjeç. Përshkallëzimi i masave nuk ka për qëllim ndëshkimin e drejtuesve të mjeteve, përkundrazi, nëse sillesh korrekt me ligjin, përdor rrugën për qëllime sociale askush nuk do penalizohet. Kjo varet drejtpërdrejtë nga drejtuesi i mjetit, pasagjerët në mjet si dhe përgjegjshmëria ndaj filizave të njomë, fëmijëve tanë deri në moshën 12 vjeç. Derisa frika të kalojë në ndërgjegje dhe të bëhet normë sjelljeje jemi të detyruar që për hir të jetës dhe shëndetit të përdoruesve të rrugës të veprojmë me masa administrative. Të mos harrojmë se policia rrugore nuk është e vetmja, por ajo ka rolin e saj në parandalimin e aksidenteve me pasoja si dhe rritjen e parametrave të sigurisë rrugore.

NOA.al:  Gjobat e larta a kanë pasur efekte konkrete në punën e policisë rrugore, dhe edhe pse janë të larta janë paguar në kohë nga shoferët e gjobitur?

Ervin Dervishi:Gjobat e larta sigurisht nuk priten mirë jo vetëm në Shqipëri, por kudo në botë. Askush nuk mirëpret rritjen e gjobave, taksave dhe interesave të ndryshme. Këtu nuk përjashtohet as policia rrugore, e cila ka impaktin më të madh në komunitet pasi pothuajse të gjithë përballen në rrugë me punonjësit e policisë rrugore. Para se te hynte në fuqi Kodi i ri Rrugor me ndryshimet e reja masat për shkeljen e semaforit me dritë të kuqe varionin nga 5000-20.000 lekë. Nga konstatimet në terren edhe pse kjo gjobë konsiderohej e lartë përsëri kishte shkelje masive ndaj kësaj dispozite. Me ndryshimet e reja kjo dispozitë ndryshoi dhe masa e gjobës u rrit nga 20.000-30.000 lekë. Pas këtij ndryshimi vumë re një stepje nga ana e drejtuesve të mjeteve ndaj shkeljes së semaforit pasi gjoba minimale për këtë shkelje tashmë është 20.000 lekë. Pra, rritja e masës së gjobës në vlerë sigurisht përcjell tek drejtuesi i mjetit hezitim dhe frikë për të shkelur ligjin pasi ende jemi në fazat e hershme të të sjellurit gjatë drejtimit të mjetit me ndërgjegje.

NOA.al: Cilat janë shkeljet që bëhen më shumë në Tiranë nga drejtuesit e mjeteve?

Ervin Dervishi:Në qytetin e Tiranës ka një mori shkeljes dhe gjeografia e përhapjes së tyre është e larmishme. Pothuajse përveç shkeljeve që kanë të bëjnë me tramin, të gjitha shkeljet e parashikuara në Kodin Rrugor mund të gjenden në rrugët e Tiranës. Sigurisht më masivet dhe ato që bien më shumë në sy dhe sidomos ato që janë burime të shtuara aksidenti dhe që ndikojnë në ardhjen e pasojave për shëndetin kanë një vlerësim më të madh nga ana e punonjësve të policisë rrugore. Si shkeljet parësore dhe që kanë vëmendjen e policisë rrugore mund të përmendim: Mos pozicionimi i duhur në karrexhatë, mos mbajtja e distancës së sigurisë, parakalimi i gabuar, përshkimi i karrexhatës në kundravajtje (kur një mjet përshkon karrexhatën kur ajo është e ndërprerë me vijë të pandërprerë), qarkullimi në sensin e kundërt, mos përdorimi kaskave mbrojtëse, përdorimi i pijes alkoolike gjatë drejtimit të mjetit, mos përdorimi i rripave të sigurisë dhe pajisjeve fiksuese, parkimi i gabuar, qarkullimi i biçikletave pa kaskë mbrojtëse, qarkullimi i këmbësorëve në mënyrë kaotike dhe të pa orientuar etj.

NOA.al: Si rezultoi ky sezon vere për policinë rrugore të kryeqytetit?

Ervin Dervishi:Pavarësisht se Tirana nuk është zonë bregdetare ajo ishte një nga pikat turistike për t’u vizituar nga turistët e huaj dhe vendas. Kështu që Tirana këtë verë nuk kishte pushim, duke qenë një atraksion turistik. Qyteti i Tiranës është mbuluar me shërbime të përforcuara për të krijuar lehtësira në trafik sidomos fundjavave ku fluksi i trafikut ka qenë më i lartë. Ndërkohë një pjesë e shërbimeve të saj kanë qenë në ndihmë të kolegëve të Durrësit dhe të Kavajës. Mund të themi se sezoni turistik për këtë vit për qytetin e Tiranës ka qenë dinamik por është përballuar me sukses nga ana e shërbimeve në terren.     Intervistoi: Aulona Kadillari/noa.al