Transmetuar më 12-09-2016, 09:04

Tiranë, 12 shtator 2016, NOA.al- Presidenti Bujar Nishani uron besimtarët myslimanë për festën e Kurban Bajramit.

Në mesazhin e tij Presidenti thotë se këtë Kurban Bajram e festojmë menjëherë pas ngjarjes historike për kombin tonë, për shqiptarët anembanë botës: shenjtërimit të Nënë Terezës, shembulli i së cilës mishëron dhe frymëzon bamirësinë, kujdesin dhe respektin për më të vuajturit, më të pafatët, për të sëmurët e të pamundurit, në kuadër të harmonisë dhe bashkëjetesën paqësore mes njerëzve me besime dhe origjinë të ndryshme.

Ai uron sa më shumë begati, paqe, mbarësi dhe vëllazëri me njëri-tjetrin.

Mesazhi i plotë i Kreut të Shtetit

“Të dashur e të nderuar besimtarë myslimanë shqiptarë kudo ku ndodheni!

Me rastin e kësaj Feste të madhërishme të Sakrificës dhe Dhurimit, e cila na frymëzon për t’iu gjindur sa më shumë njëri-tjetrit, për të ndihmuar dhe ndarë pasurinë e mirësinë me më të pafatët, për t’i lumturuar fëmijët me dhurata e për t’u përkujdesur për më nevojtarët, duke sakrifikuar diçka apo gjithçka në frymën e besimit tek Zoti i Plotfuqishëm, dëshiroj t’ju përcjell urimet e mia më të përzemërta!

Sivjet këtë Kurban Bajram e festojmë menjëherë pas ngjarjes historike për kombin tonë, për shqiptarët anembanë botës: shenjtërimit të Nënë Terezës, shembulli i së cilës mishëron dhe frymëzon bamirësinë, kujdesin dhe respektin për më të vuajturit, më të pafatët, për të sëmurët e të pamundurit, në kuadër të harmonisë dhe bashkëjetesën paqësore mes njerëzve me besime dhe origjinë të ndryshme.

Në cilësinë e Kreut të Shtetit ju uroj nga zemra të gjithëve sa më shumë begati, paqe, mbarësi dhe vëllazëri me njëri-tjetrin!

Gëzuar Festën e shenjtë të Kurban Bajramit!

Gëzuar dhe për shumë vjet këtë Festë të mrekullueshme dhe kuptimplotë të sakrificës njerëzore!”/a.y/noa.al

Besimtarët myslimanë festojnë Kurban Bajramin, falet Namazi