Transmetuar më 06-09-2016, 09:43

Ish-shefi i Shërbimit Informativ Shtetëror, Irakli Koçollari, zbulon dokumentet e CIA-s amerikane ku evidentohet se grupet diversante të kontrolluara nga CIA që kanë hyrë në Shqipëri në vitet 1948-1956 kanë vrarë mbi një mijë roje kufiri, oficerë dhe civilë të pafajshëm gjatë misioneve të tyre, ndërsa shërbimet kufitare shqiptare kanë asgjësuar apo kapur 300 prej tyre.

I ftuar në emisionin “Debati në Channel One”, Koçollari shprehet se misionet e huaja që hynin në Shqipëri nga ajri apo dhe nga toka kishin si qëllim rrëzimin e pushtetit të dalë pas luftës, ndërsa meritë për asgjësimin e tyre ka qenë plotësisht e inteligjencës dhe trimërisë së forcave shqiptare.

Këtë fakt ai e mbështet në dokumente sekrete tashmë të deklasifikuara të shërbimeve të huaja, sipas të cilave ka qenë faktori shqiptar që ka çuar në dështimin e këtyre misioneve.

Koçollari për herë të parë tregoi në emision se dokumentet fillojnë që me planin e parë të hartuar për vendimin e marrë për operacione kundër Shqipërisë, i cili ishte një plan për t’u admiruar.

Në një plan prej 97 faqesh, në vitin 1949 u hartua nga Frenk Wizner, një nga oficerët e lartë të CIA-s, që synonte jocopëtimin e Shqipërisë për rrëzimin e pushtetit komunist të dalë nga Lufta e Dytë Botërore.

Sipas Koçollarit, në takimet me ekspertët e CIA-s në ditët tona, dështimi i këtyre misioneve pranohet hapur, edhe pse ky fakt është mbajtur sekret për dekada të tëra.

Zoti Koçollari, më ndjeni të them se teoria juaj se shërbimet sekrete të huaja në Shqipëri kanë dështuar për shkak të shqiptarëve, nuk më ka bindur plotësisht…

Është normale të tundohesh dhe të ruash këtë mendim. Hamendësitë e kanë një bazë, por unë do të doja të thosha që operacionet e tyre kanë dështuar këtu.

Tani jemi përpara një kohe tjetër dhe kemi edhe gjëra të tjera, të cilat fatmirësisht mbështesin konkluzionin tim që dështimi nuk ka qenë për shkak të rusëve.

Po të kujt?

Merita u takon vetëm specialistëve të shërbimit sekret shqiptar. Njeriu i parë që shkroi për këto operacione të organizuara nga CIA, bashkë me të cilën ka qenë shërbimi sekret britanik, shërbimi sekret jugosllav, (të dihet mirë) dhe shërbimi sekrete grek.

Natyrisht kanë qenë edhe italianët bashkëpunëtorë të këtij plani. Duhet kuptuar një gjë që, ata nuk do të vinin vetëm nga ajri dhe u duhej edhe mbështetja e grekëve përmes territoreve të tyre.

I pari njeri që shkroi për këto operacione, të cilat e kanë marrë certifikimin që kanë dështuar përpara shqiptarëve, është Nikola Batul, në një botim në vitet ’80, “The Great Betrayal”.

Ai është i pari që ka thënë se dështuan dhe gjithçka ka qenë në heshtje për këto operacione. Ka një ligj që quhet FOIA, që detyron vendet të deklasifikojnë mbas 30 vjetëve dokumentacionin e mbajtur sekret.

Çuditërisht, këto operacione janë mbajtur sekret duke shkelur edhe këtë ligj, dhe pyetja që shtrohet është: Pse pikërisht ky ligj nuk u respektua? Natyrisht ka shumë arsye, të cilat thuhen tanimë. Ai thotë se jo vetëm dështuan, por duhet kuptuar që dështimi nuk lidhet vetëm me filmin, por me shërbimin shqiptar të sigurisë. Tani jemi në një stad tjetër.

Pas tij ka edhe shumë autorë të tjerë që flasin për këto operacione. Por ajo që është me shumë rëndësi është deklasifikimi i materialeve. Dokumentet fillojnë që me planin e parë të hartuar për vendimin e marrë për operacione kundër Shqipërisë dhe plani për mua është një plan për t’u admiruar.

Pasi bëri një analizë të situatës dhe si e vlerësojnë amerikanët Shqipërinë, autori përcakton në mënyrë konkrete në një plan prej 97 faqesh, në vitin 1949.

Plani i parë, i cili u hap rrugë ndryshimeve, është miratuar. Hartuesi është Frenk Wizner, një nga kuadrot e CIA-s, i cili ka vdekur herët për shkak të një sëmundjeje.

I biri i tij është rikthyer në politikë dhe i është rikthyer temës së shqiptarëve. Frenk Wizner Junior ka qenë ambasador në Kosovë dhe shumë pozitiv në çështjen e pavarësisë së Kosovës.

Çfarë synonte ky plan?

Plani e thotë hapur. Përmbysjen e regjimit komunist në Shqipëri dhe vendosjen e një qeverie properëndimore, proamerikane.

E kishin menduar se kë do të vinin?

Kjo është herët.

Si do të realizohej?

Përmes operacioneve sekrete dhe Luftës së Ftohtë. Duke krijuar baza, rekrutuar njerëz, të cilët do të krijonin terrenin e duhur.