Transmetuar më 05-09-2016, 07:58
Karin Wiking, shoqja dhe bashkëpunëtorja e Nënë Terezës, rrëfen punën disavjeçare dhe miqësinë e saj me shenjtoren. “Imcakja” me origjinë shqiptare, e cila iu dedikua të sëmurëve në gjendje termiale, të varfërve, fëmijëve dhe grave në nevojë rrezatonte dashuri dhe forcë. Kështu shprehet mikesha e saj 95-vjeçare, e cila ditën e djeshme ishte mes mijëra personave që morën pjesë në shenjtërimin e Nënë Terezës në Vatikan. “Nuk mund të mungoja, jam e nderuar që do jem pjesë e meshës së shenjtërimit të Nënë Terezës”, tha anglo-suedezja, Karin Wiking, e cila gjithashtu jetën ua ka kushtuar personave në nevojë, të burgosurve në kampet e përqendrimit nazistë dhe të sëmurëve. Ndër cilësitë që ajo nxjerr në pah të Shenjtores Nënë Tereza është vëmendja që ajo i kushtonte çdokujt.

“Ishte shumë e vëmendshme. Një herë kemi biseduar rreth 1 orë e gjysmë duke më dhënë këshilla, pasi kisha disa probleme me vajzën”, rrëfen 95-vjeçarja për “Gazeta Shqiptare”. Ndërsa, në lidhje me refuzimin që i bëhej Nënë Terezës për të vizituar Shqipërinë, Wiking tha se, “ajo ndihej shumë keq që nuk mund të shkonte në Shqipëri”. Që nga viti 1979, Karin Wiking ka qenë vullnetare dhe ka punuar për Nënë Terezën. Kujtimet e saj janë botuar në formën e intervistave në dy libra, të cilat lidhen me jetën e saj nga murgeshë në luftë, në misionin e Nënë Terezës.

Karin, mund të na prezantosh veten, prejardhjen tënde dhe të familjes? Rrugëtimin tuaj në këto 95 vite?

Kam lindur në Lidingon të Suedisë dhe më pas kam kaluar 9 vite në Bath të Anglisë, vend në të cilin babai im kishte një institut gjimnastike. Im atë ka lindur në Angli, ndërsa mamaja në Suedi. Në moshën 9-vjeçare familja ime u zhvendos në Suedi. Kam pasur 2 motra dhe një vëlla. Prindërit e mi në atë kohë ishin gjimnastë dhe mësues sportesh në një shkollë private jashtë Stokholmit. Në atë shkollë isha e para vajzë që kalova provimin e matrikulimit. Isha e trajnuar si infermiere e Kryqit të Kuq dhe shërbeva në Finlandë për Kryqin e Kuq gjatë luftës ruso- finlandeze. Në vitin 1945 së bashku me Kryqin e Kuq në Norvegji kemi ndihmuar në lirimin e rusëve të burgosur në kampet gjermane të përqendrimit. Nazistët kishin në kampe 80.000 të burgosur, të cilët përdoreshin për ndërtimin e rrugëve dhe hekurudhave në Narvik. Rreth 40.000 prej tyre vdiqën. Kryqi i Kuq suedez i dërgoi të burgosurit e mbijetuar në një spital mbi rrethin polar, të cilin ua morëm gjermanëve. Pas kësaj kam punuar me jugosllavët e sëmurë me turbekuloz në një spital jashtë Ostersundit. Pas kësaj jam marrë me dërgimin e çifutëve-polakë me autobusë nga kampi gjerman i përqendrimit ‘Bergen Belsen’ drejt Suedisë. Më pas të njëjtën gjë bëmë me studentët gjermanë të kampit në Çekosllovaki. Më pas kam punuar me UNNRA (Administrata e Kombeve e Bashkuara për Asistencë dhe Rehabilitim) në Gjermani me njerëzit që kanë qenë në kampet gjermane. Pas kësaj kam punuar si pritëse në terren për SAS. Në ‘49-n jam martuar, kohë në të cilën kam jetuar në Spanjë, Holandë, Gjermani me bashkëshortin dhe vajzën. Gjatë kësaj kohe jam shkëputur disi prej Kishës Katolike. Më pas kam punuar si drejtuese e Departamentit të Refugjatëve pranë Shërbimit të Punësimit në Stokholm. Në vitin 1984 u zhvendosa në Kalkuta për të punuar me Nënë Terezën në shtëpinë për të vdekurit. Nga viti 1981 kam qenë koordinatorja e Nënë Terezës për bashkëpunëtorët e sëmurë në Suedi, Norvegji, Danimarkë dhe Finlandë deri së fundmi (2014), pasi këtë detyrë ia kam kaluar një mikeshe. Momentalisht jam duke jetuar në shtëpi katolike për të moshuarit.

Cili ishte vokacioni, thirrja për t’u bërë pjesë e Kishës Katolike?

Në vitin 1947 u lejova të behëm pjesë e grupit të studentëve amerikanë katolikë gjatë një auditori me Papa Pius XII, kohë në të cilën nuk kam qenë madje as katolike. Ati i Shenjtë më foli, duke më pyetur nga cili vend vija dhe me çfarë merresha. Ai fliste një anglishte të bukur, kishte një paraqitje të shenjtë dhe ishin këto detaje që më zgjuan mua interesin për besimin katolik. Ai më dha një medaljon me foton e tij, të cilin e dua fort.

Si e keni takuar Nënë Terezën?

E kam takuar fillimisht gjatë një fjalimi të saj në një kishë në Stokholm, vit në të cilin ajo mori çmimin ‘Nobel’.

Të lutem, mund të na e përshkruash Nënë Terezën, karakterin e saj dhe qëndrimin kundrejt jetës, si ishte ajo?

Ajo kishte një rrezatim të fortë dashurie, force, drite dhe humori. Kishte shumë besim dhe dashuri brenda vetes. E dashuronte jetën dhe njeriun.

A jua ka përmendur ndonjëherë Shqipërinë Nënë Tereza? A ndjehej ajo keq prej pamundësisë për t’u kthyer në vendin e saj, për shkak të regjimit diktatorial?

Jo shumë, por ajo ndjehej shumë keq, pasi nuk mund të shkonte në Shqipëri.

Cila ishte marrëdhënia jote në raport me Nënë Terezën? Kishit ndonjë dinamikë të caktuar?

Ne kemi pasur një marrëdhënie shumë të mirë me njëra-tjetrën. Një herë në Romë kam pasur një bisedë, e cila zgjati pothuajse një orë, rreth problemeve që kisha me vajzën time. Ajo më dha disa këshilla shumë të mira. Ajo ishte shumë e vëmendshme. Një herë i kisha hequr sandalet siç na takon të bëjmë, por duke qenë se dyshemeja ishte e ftohtë, ajo më kërkoi t’i vishja sandalet.

Si ndiheni që Nënë Tereza në datë 4 shtator do shenjtërohet? A do të jeni pjesë e ceremonisë?

Patjetër, nisem nesër për në Romë, nuk mund të mungoj. Jam krenare dhe ndihem shumë e nderuar që do jem pjesë.

(Intervista për “GSH” u realizua në datën 1 shtator).

Papa Françesku shpall shenjtore Nënë Terezën