Transmetuar më 04-09-2016, 19:43

Tani shqiptarët mund të krenohen, kanë mes tyre një shenjtore. Nënë Tereza ose tani mund t’i thërrasim Shën Tereza ka bërë që e gjitha bota për gati dy orë të ketë sytë nga Vatikani, ku Papa Françesku shenjtëroi humanisten shqiptare. Por e gjithë Shqipëria është në festë, jo pak aktivitete, por gjithashtu shumë shqiptarë sot kanë marrë pak nga humanizmi i Shën Terezës, në venat e të cilës rridhte gjak shqiptar. Tregoi se me përulësi dhe besim në Zot mund të arrihet gjithçka, madje deri në shenjtërim.

Për Mirush Kabashin, aktorin e mirënjohur shqiptar, Nënë Tereza duhet të jetë një shembull për të gjithë shqiptarët, të cilët kanë një problem – të vogël në dukje, por të madh në brendësi – shqiptarët kanë krizë besimi. Aktori i humorit, por jo vetëm, ose i njohur ndryshe si “Sokrati shqiptar”, flet pak dhe shumë rrallë, por fjalët e tij janë të menduara dhe të vendosura ashtu siç di t’i vendosë vetëm një aktor si ai.

Në një intervistë ekskluzive për agjencinë e lajmeve “NOA.al”, Mirush Kabashi, i cili interpretoi disa nga lutjet e Nënë Terezës në aktivitetet për nder të shenjtërimit të shqiptares Gonxhe Bojaxhi, e cilëson Nënë Terezën si një simbol të humanizmit,sakrificës, përkushtimit dhe që për ne shqiptarët është një krenari që e kemi. Por duke bër krahasimin me Sokratitin që ka shkuar në skenat e të gjithë botës dhe Nënë Terezës me origjinë shqiptare që ka prekur zemrat e mbarë njerëzimit, Kabashi rrëfen se ndihet i privilegjuar që ka nxjerrë në pah vlerat e tyre dhe tregon se të dy në mënyrat e tyre i kanë dhënë shumë njerëzve. 

Intervistoi: Aulona Kadillari / NOA.al

NOA.al: Ju recituat disa nga lutjet e Nënë Terezës, si ndiheni teksa shqiptoni fjalët e një shenjtoreje?

Mirush Kabashi: Data e sotme, 4 shtator,  dita e shenjtërimit të Nënë Terezës, përbën një nga  kënaqësitë dhe krenaritë e rralla që vendi im më ka dhuruar në 68 vjet të jetës sime. E them këtë gjë edhe në konteksin, që për fat të keq, veçanërisht në 25  vitet e fundit, në bazë të statistikave dhe  opinioneve ndërkombëtare, vendi ynë ka fituar famën ose opinionin e vendit të krimit, të prostitucionit, të konfliktualitetit, të korrupsionit, të agresivitetit e pikërisht në këtë situatë unë do të thoja, shenjtërimi i Nënë Terezës dhe pranimi i saj si një simbol i humanizmit, sakrificës, përkushtimit, dashurisë dhe dhembshurisë në nivelin më të lartë shpirtëror përbën një krenari të padiskutueshem për të gjithë kombin tonë, brenda dhe  jashtë kufijëve. Ndërsa këto vargje nuk janë poezi nga Nënë Tereza, por janë lutje të qëmtuara nga një libër i Visar Zhitit, ku unë kam grumbulluar ato që janë më pikante. Ndërsa mundësia që mua më jepet për t’i interpretuar dhe transmetuar tek të tjerët më bën të privilegjuar. Formulimi i tyre është një busull që i orienton të gjithë njerëzit pa dallim kombi, feje apo  gjinie për të gjetur vetveten dhe ekulibrat.

NOA.al: Deri në vitin 1989 ne nuk e njihnim Nënë Terezën, pasi regjimi komunist nuk e lejonte të vinte në Shqipëri. Vërtetë e duam ne "Nënë Terezën"?

Mirush Kabashi: Kjo pyetje do të tingëllonte cinike dhe e papranueshme në qoftë se për fat të keq historia jonë  nuk do të vërtetonte, që jo rrallë herë disa emra personash shqiptarë mbi bazën e egocentrizmit dhe interesave, jo rrallë herë i  kanë dëmtuar rëndë fatet e Shqipërisë. Këtë gjë e gjejmë të mëshiruar në frazën, gati apostolike, të dhimbshme, por të vërtetë të Faik Konicës kur thotë që: "Historikisht dëmin më të madh Shqipërisë ia kanë bërë  vetë shqiptarët”. Unë do ta shtroja pyetjen ndryshe, a ka mundësi një që i thotë vetes shqiptar, të gjejë qoftë dhe një  motiv për të mos i qenë mirënjohëse në jetë të jetëve kësaj shqiptareje, e cila edhe pse kombi i saj i mbylli dyert, ajo nuk reshti së menduari dhe së ndjeri për vendin e saj, dhe kurrë nuk e vuri atë në dyshim.

NOA.al: Pas kalvarit të vuajtjeve që kaloi ajo dhe familja e  saj nga regjimi i Enver Hoxhës kur shkeli në tokën  shqiptare dhe vizitoi varret e familjarëve të saj në varrezat e Sharrës, Nënë Tereza vendosi edhe një tufë me lule  në varrin e Enver Hoxhës. Si e shihni këtë gjest të saj?

Mirush Kabashi: Përveç kalvarit të jetës, regjimi i kaluar i mohoi edhe kërkesën për të qenë pjesë e varrimit të pjesëtarit të  familjes së saj. Prandaj unë e konsideroj vendosjen e luleve në varrin e diktatorit si gjest madhështor të  saj, që bën diferencën nga ne të tjerët. E cila, në vend të urrejtjes dhe hakmarrjes zgjedh faljen dhe ngrihet mbi hakmarrjen dhe komplekset e tjera dhe e nderon një të vdekur pa bërë dallim, se cilat kanë qenë bëmat e tij. Ndoshta ne e kemi të vështirë ta kuptojmë këtë llojë  botëkuptimi, këtë lloj humanizmi.

NOA.al: Si një njeri i besimit mysliman, çfarë do të thotë të  "rrëfeni" para një publiku dhe spektatori fjalët e një të krishtereje?

Mirush Kabashi: Në përgjigjen e kësaj pyetjeje do të doja të citoja një lutje të veçantë të Nënë Terezës që shprehet, “O Zot! Të falenderoj për të gjithë myslimanët, induistët, dhe për të gjithë miqtë e mi të shtrenjtë që ndodhen në mes të tyre. Sa herë t’i takoj në lutje t’i na bën të krishterë më të mirë, myslimanë më të mirë, induistë më të mirë. Falna o Zot dhuratën e besimit që të dimë të kuptohemi ndërmjet nesh”. Pra duhet bërë një saktësim, Nënë Tereza nuk ka qenë predikuese. Ajo është evidentuar dhe është shpallur e shenjtë si një humaniste e jashtëzakonshme. Bëri vepra konkrete për të mirën e njerëzimit, objekt i kujdesit të saj nuk kanë qenë vetëm besimtarët, por në tërësi të vuajturit, të mjeruarit.  Ajo e ka nisur në një vend ku kishin një besim tjetër fetar, ajo nuk bënte asnjë lloj ndasie, ajo i konsideronte gjithë njerëzit të Zotit. Ajo kishte një koncept madhështor, jashtëzakonisht të vlefshëm edhe për situatën ku ndodhemi sot. Në mënyrë të veçantë besimet monoteiste ajo i konsideronte si bashkëudhëtare të një qëllimi, besimit në të njëjtin Zot. Prandaj unë mendoj që nuk duhet të konsiderohet Nënë Tereza si përfaqëseuese e një feje, por si përfaqësuese e Zotit, atij ndaj të cilit të gjithë njerëzit duhet të kenë besim. Sepse kriza e shqiptarëve është besimi. Unë me keqardhje e them se nuk jam një besimtar praktikant, por i çmoj maksimalisht ata që besojnë, besimi e fisnikëron njeriun. Ndihem i nderuar dhe i privilegjuar që kam mundësi të them një pjese të shprehjeve të saj që më kanë ndihmuar mua dhe mendoj se do të ndihmojnë të gjithë, pavarësisht nga diferenca e besimeve që kanë, për të qenë njerëz dhe kryesorja, për të çmuar dhe për të mbajtur përgjegjësitë që u takojnë për vendin. Mendoj se besimi duhet të jetë si udhërrëfyes përgjegjësie kombëtare – Nënë Tereza e kishte këtë gjë dhe e ka shprehur edhe në lutjet e saj ku veçanërisht thotë: "Gjithë jetën e kam dashur me zemër popullin tim shqiptar, dhe Zotin e kam lutur shumë që falja e tij të vijë në familjet tona, në shtëpitë tona, në zemrat tona, pra lutuni për fukarenjtë e mi”.

NOA.al: A i kemi dhënë ne Nënë Terezës atë që meriton?

Mirush Kabashi: Une mendoj që Nënë Tereza kurrë nuk ka kërkuar gjë, nuk priste që ne t’i jepnim, ndërsa jemi ne që kemi nevojë për të, të evidentohemi me emrin e Nënë Terezës, të provojmë që ajo nuk përbën një përjashtim nga populli ynë. Në gjenezën tonë ne e kemi cilësi të jashtëzakonshme humanizimin dhe këtë e vërtetuam në vitin 1999 ku ne pritëm mbi 1 milion vëllezër nga Kosova dhe hapëm dyertë e shtëpive dhe të shpirtit.

NOA.al: Nga Apologjia e Sokratit, ku ju me të drejtë jeni  cilësuar si "Sokrati shqiptar", tani shfaqeni me  një tjetër figurë të përulur siç është Nënë Tereza. Si  i komentoni këto dy personazhe?

Mirush Kabashi: Nuk mendoj se janë të kundërt me njëri-tjetrin. Mendoj se për të dyja këto figura njerëzimi duhet t’u jetë mirënjohës. Njëri si babai i demokracisë dhe tjetra si nëna e dhembshurisë dhe sakrificës njerëzore. Sokrati i ka dhënë njerëzimit demokracinë që është sistemi më i mirë i mundshëm. Ndërsa Nënë Tereza është një pamje tjetër, ajo ka qenë simboli i njeriut që i është gjendur pranë atyre që kanë qenë në fazën e fundit të jetës, të braktisur nga gjithçka, atyre që ndoshta nuk besonin më, jo vetëm te jeta, por as në Zot. Të dy unë gjykoj që i kanë shërbyer njerëzimit, unë jam i nderuar, i privilegjuar dhe bëj maksimumin që gjykimit të tyre dhe veprimet e tyre t’i parashtroj në vlerën që realisht, kanë patur, kanë dhe do të kenë.

NOA.al: Rrallë ju kemi parë të dilni në skenat shqiptare, cila  është arsyeja, apo do ta lidhni me shprehjen popullore, "rrallë e për mall"…?

Mirush Kabashi: ‘Rrallë e për mall’ është një shprehje popullore shumë e bukur. Por unë gjykoj që nuk e kam privilegjin për të zgjedhur. Mendoj që kjo rrallë e për mall më është imponuar. Unë mendoj që nuk jam i vetmi, janë me qindra raste para meje. Tek ne kur bën pak përpara dhe bën pak emër, përnjëherë aktivizohet mediokriteti, të cilit i funksionojnë të gjitha organizmat për të të frenuar. Vlerat e shqiptarëve nuk janë evidentuar ndonjëherë në Shqipëri, por janë evidentuar jashtë Shqipërisë, ku popujt e civilizuar  duket se i japin mundësi aftësive të veçanta për të ecur dhe për të tërhequr shoqëritë e tyre. Konteksti i frenimit te ne është shumë i fortë në të gjithë fushat,  jo pak na dëmtojnë në rrugën e progresit. Por do të lutesha mos merremi me ketë temë sot, t’i gëzohemi kësaj dite historike dhe ta mbyllim me një frazë monumentale të Nënë Terezës: “Më mirë ndizni një qiri, se sa të mallkoni errësirën”. Intervistoi: Aulona Kadillari/noa.al/