Transmetuar më 04-09-2016, 18:05

Edhe pse sezoni I pushimeve mund të thuhet se ka përfunduar zyrtarisht, jo të gjithë i kanë dhënë fund pushimeve të tyre. Për këtë arsye “The Guardian” bën një listë me qytetet europiane dhe sidomos ato në Ballkan që mund të vizitohen nga turistët, ku një këshillë për këta të fundit është edhe kalimi i pushimeve të mrekullueshme në Tiranë dhe Prishtinë.

Në shkrimin e “The Guardian” thuhet se këto qytete mund të mos jenë të pasura kulturalisht, por ia vlen të vizitohen në fundjavë. Tirana e parë nga The Guardian përshkruhet si qyteti i argëtimit, vend kumbues e shumëngjyrësh. Si vend i preferuar për shëtitje përmendet Mali i Dajtit, ndërsa zemra e jetës së natës është Blloku, një zonë që më parë ka qenë e rezervuar për zyrtarë të lartë partiakë, e tani e shndërruar në një vend plotë gjallëri me restorante e bare.

“Otomanët, italianët, Islamikët, stalinistët dhe ndikimet kapitaliste janë të gjitha të hedhur së bashku në një arkitekturë mijë vjeçare, ku ka shumë blloqe apartamentesh që janë pikturuar në ngjyra të ndritshme “, thuhet në përshkrimin e bërë për Tiranën.

Nuk lihet pas as kryeqyteti i dytë i shqiptarëve që është Prishtina. Në këtë shkrim thuhet se atraksioni kryesor i Prishtinës është statuja e Bill Clintonit, ndërsa muzeu etnografik sipas tyre është vendi që duhet vizituar gjithsesi.

Sipas tyre makiatoja më e mirë në botë bëhet në Prishtinë, po ashtu edhe ushqimi tradicional I cili është I ndikuar nga “vëllezërit” e tyre nga Shqipëria.

Të tjera qytete që janë renditur në këtë listë janë edhe Kotorri i Malit të Zi, Plovdiv e Bullgarsë, Pula në Kroaci, Palanga në Lituani apo edhe Ohri në Maqedoni.