Transmetuar më 04-09-2016, 14:39

Kryeministri Edi Rama ka marrë pjesë sot, në këtë ditë historike për Shqipërinë dhe shqiptarët, në ceremoninë e shenjtërimit të Nënë Terezës, në sheshin “Shën Pjetër” në Vatikan, ku Papa Françesku ka pranuar kërkesën për shpalljen shenjtore të humanistes shqiptare.

Mbi 100 mijë persona ishin të pranishëm në sheshin e Shën Pjetrit për të ndjekur ceremoninë.

Ndërkohë në vigjilje të shenjtërimit të Nënë Terezës nga Papa Françesku në Vatikan, Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga bashkëshortja, Linda Rama, mori pjesë në koncertin madhështor të mbajtur në Bazilikën e Shën Palit, në nderim të humanistes shqiptare. Në koncertin kushtuar Nënë Terezës kanë performuar artistët më të njohur shqiptarë në mbarë botën, si: Inva Mula, Ermonela Joho, Rita Ora, Shkëlzen Doli, Saimir Pirgu, si dhe sopranoja kosovare Elbenita Kajtazi.

Përmes një statusi në “Facebook”, Kryeministri Rama e ka përshkruar plot emocion koncertin në nder të humanistes shqiptare Nënë Tereza: “Natë magjike tingujsh prej yjeve të muzikës shqiptare, në vigjilje të shenjtërimit të Nënë Terezës në Vatikan! Rita Ora, Ermonela Jaho, Shkëlzen Dolli, Inva Mula e me radhë, emocion, ngazëllim, krenari…”.