Transmetuar më 04-09-2016, 13:07

Vatikan, 4 shtator 2016, NOA.al- Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta mori pjesë në meshën solemne për shenjtërimin e Nënë Terezës nga Papa Françesku, në sheshin Shën Pjetri në Vatikan.

Në një prononcim dhënë për Radio Televizionin Shqiptar, Meta e vlerësoi shenjtërimin e Nënë Terezës një ngjarje për të gjithë njerëzimin.

“Shenjtërimi i Nënë Terezës apo procesi i kanonizimit, padyshim që është një ngjarje për të gjithë njerëzimin sepse Nënë Tereza i përket mbarë njerëzimit me modelin e jashtëzakonshëm që ajo solli dhe frymëzoi në të gjithë botën për të ndihmuar dhe për t’i shërbyer njerëzve më të varfër, më të uritur, më në nevojë, në një mënyrë tepër të thjeshtë, të përulur dhe modeste. Dhe padyshim që edhe për ne si shqiptarë, kudo ku jemi dhe jetojmë, është një ngjarje e jashtëzakonshme për shkak të origjinës dhe të gjakut të saj”, tha Meta.

Kryetari i Kuvendit u shpreh se shenjtërimi i Nënë Terezës, është edhe një detyrim për të reflektuar edhe më shumë në këtë moment kur e gjithë bota nderon një figurë të shquar.

“Padyshim që kjo na bën që të krenohemi, por sigurisht kjo na detyron edhe të reflektojmë edhe më shumë në këtë moment kur e gjithë bota nderon një figurë të shquar dhe krejt të veçantë të njerëzimit në mënyrë që të punojmë të gjithë më shumë për të qenë të përulur para atyre që kanë më shumë nevojë për ndihmë dhe për mbështetjen tonë, për më shumë solidaritet dhe shpirt sakrifice ndaj tyre”, deklaro Meta.

Ai shtoi se modeli i Shën Terezës shërben për të qenë më paqësor dhe bashkëpunues me njëri-tjetrin dhe me të gjithë në jetën tonë të përditshme./a.y/noa.al

Komentoni mbi këtë lajm më poshtë

Transmetim Live/ Papa Françesku shpall shenjtore Nënë Terezën