Transmetuar më 04-09-2016, 10:14

Tiranë, 4 gusht 2016, NOA.al- Ndërsa sot Nënë Tereza shenjtërohet në Vatikan, Tirana u është bashkuar aktiviteteve në këtë ditë të shënuar.

Në sheshin “Nënë Tereza”, u përuruan tre pllakata përkujtimore në nder të humanistes së madhe.

Në këtë ceremoni, kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj, vlerësoi figurën e Nënës Terezë. Ai shprehu mirënjohje për motrat e “Nënës Terezë”, për misionin që vazhdojnë të ruajnë.

“Nga sot do të ketë një titull të ri Shën Tereza, për të treguar se nuk është vetëm e shqiptarëve apo e Kalkutës, por e gjithë botës. I ftoj të gjithë qytetarët ta kalojmë ditën duke medituar pak, se si sot do thërrasim Shën Tereza njërën prej nesh”, u shpreh Veliaj.

Bashkia e Tiranës dhe Ministria e Kulturës organizuan sot një sërë aktivitetesh me rastin e shenjtërimit nga Papa Francesku të Nënë Terezës. Aktivitetet u zhvilluan në sheshin që mban emrin e Nënë Terezës, ku u vendosën pllakata me emrin e shenjtores më të re të Kishës Katolike, si dhe u mbajt një koncert tematik, ndërsa u mundësua edhe një lidhje direkte me sheshin “Shën Pjetër” në Vatikan, gjatë meshës së shenjtërimit të humanistes shqiptare.

Fillimisht u zhvillua ceremonia e zbulimit të një njërës prej pllakatave me emrin e Nënë Terezës, ku morën pjesë kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, anëtarë të qeverisë, deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, përfaqësues të lartë të Kishës Katolike dhe të besimeve të tjera fetare në vendin tonë, si dhe qytetarë të ndryshëm. Në fjalën e tij, gjatë kësaj ceremonie, kryebashkiaku Veliaj tha se shqiptarja Nënë Tereza solli shpresë në jetën e çdo njeriu që preku, por edhe të atyre që e ndoqën në misionin e saj.

Ndërsa, ministrja Kumbaro gjatë fjalës së saj tha se Nënë Tereza është një figurë e madhe që i përket gjithë botës. “Kjo është një ditë e madhe për një dashuri të madhe të cilën ne përpiqemi ta plotësojmë çdo ditë me gjëra të vogla, siç thoshte Nënë Tereza”, u shpreh ajo, ndërsa solli në vëmendje një nga lutjet e saj për ndershmëri, sinqeritet dhe shërbim në ndihmë të njerëzve.

Vlerësime për figurën e Nënë Terezës u përcollën edhe nga monsinjor Ramiro Molinar Ingles, i cili ndërsa solli përshëndetjet e Papa Françeskut për gjithë shqiptarët, tha se është hera e parë që një çmim “Nobel” kanonizohet dhe sot shenjtërohet.

Anjezë Gonxhe Bojaxhiu e njohur si Nënë Tereza lindi në Shkup më 26 gusht të vitit 1910 dhe vdiq më 5 shtator 1997 në Kalkut, (Indi), ishte humaniste e njohur shqiptare, fituese e çmimit Nobel për Paqen, kurse më 19 tetor të vitit 2003 u shpall e lume nga Papa Shën Gjon Pali II./a.y/noa.al

Komentoni mbi këtë lajm më poshtë

“Murgesha e të varfërve”, Nënë Tereza sot bëhet shenjtore

Njihuni me shprehjet Nënë Terezës që kanë frymëzuar botën

Shenjtërimi i Nënë Terezës mbledh në një koncert në Vatikan yjet shqiptarë |FOTO

Njihuni me dy mrekullitë që shenjtërojnë Nënë Terezën

Papa Françesku: Nënë Tereza na bën të ndjehemi krenar

CNN dedikim për shqiptaren: Të rritesh me këshillat e Nënë Terezës/FOTO